Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka folur për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe pritjet e tij nga faza e apelit.
Haradinaj ka thënë se shpreson për një rezultat më të mirë, por nuk pret shumë nga procesi, duke kritikuar mënyrën se si është trajtuar çështja gjatë viteve të fundit.
“S’mund të them që pres shumë. Shpresoj për më të mirën, por s’mund të them që pres shumë. Nëse gjashtë vjet shkuan dhe morëm këtë rezultat me këta njerëz, nuk është se sot erdhi kjo qeveri. Kjo është lidhja e shkurtër: gjashtë vjet këtu, shtatë po bëhen, pra shtatë vjet këta njerëz na e sollën këtë rezultat, e tash po bëjnë shfajësime”, ka deklaruar Haradinaj në emisionin “Politiko”, në Kanal10.
Ai ka përmendur edhe nevojën për veprime konkrete nga institucionet, duke iu referuar Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe informatave që, sipas tij, posedon.
“ Kjo sa me thanë që bëmë diçka. Komisioni, informatat që i kam, asnjë veprim nuk bën dallimin nga ajo që është tash. Ekziston një klimë me këtë komision të përbashkët, por ajo për konsum të brendshëm është, s’po shoh dallim”, ka thënë Haradinaj.

