Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se kompania franceze “AKUO Energy SAS” është shpallur fituese e ankandit të Ministrisë së Ekonomisë për prodhimin e energjisë nga era, me kapacitet prej 98 megavatësh (MW).
Përmes një postimi, Kurti ka njoftuar se çmimi i ofruar nga kompania është 75.94 euro për megavat-orë (MWh), ndërsa investimi i paraparë për realizimin e projektit arrin në rreth 150 milionë euro, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, ky projekt i ri i shtohet investimeve të tjera në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, përfshirë parkun e erës me kapacitet 70 MW në Zatriq dhe parkun solar prej 105 MW në Kramovik/Guri i Kuq, për ndërtimin e të cilit kanë filluar punimet.
Kurti ka vlerësuar se rritja e kapaciteteve vendore të prodhimit të energjisë do të ndikojë në uljen e varësisë së Kosovës nga importi.
“Më shumë prodhim vendor me çmim të favorshëm për qytetarët do të thotë më pak varësi nga importi”, ka shkruar Kurti.
Ai ka uruar kompaninë fituese dhe ka falënderuar ekipin e Ministrisë së Ekonomisë për përmbylljen e procesit, duke veçuar edhe bashkëpunimin me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), e cila ka shërbyer si këshilltare e transaksionit.
Kryeministri e ka cilësuar ankandin si një proces konkurrues dhe transparent, që synon zgjerimin e kapaciteteve të Kosovës për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme.

