Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka njoftuar se punimet në infrastrukturën e këtij institucioni shëndetësor janë në fazën e finalizimit.
Sipas njoftimit, projektet infrastrukturore synojnë përmirësimin e kushteve dhe krijimin e një ambienti më funksional për pacientët, stafin shëndetësor dhe qytetarët që marrin shërbime në spital.
Punimet pritet të mundësojnë zgjerimin dhe përmirësimin e hapësirave të shërbimeve, shtimin e kapaciteteve për parkim, lehtësimin e qarkullimit të pacientëve dhe automjeteve, si dhe funksionalizimin më efikas të hyrje-daljeve në spital.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Afrim Cana, ka theksuar se investimet në infrastrukturë përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të vazhdueshëm të spitalit dhe përmirësimit të kushteve për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Ai ka vlerësuar edhe bashkëpunimin me SHSKUK-në, duke thënë se mbështetja institucionale dhe angazhimi i përbashkët në realizimin e projekteve po konkretizohen me rezultate.
Në këtë kuadër, Spitali i Gjilanit ka shprehur mirënjohje për drejtorin e përgjithshëm të SHSKUK-së, Elvir Azizi, për mbështetjen dhe bashkëpunimin institucional.
“Investimet në infrastrukturë janë pjesë e vizionit tonë për një spital më funksional, më të qasshëm dhe me kushte më të mira për pacientët dhe punonjësit shëndetësorë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/