Shqetësimi për ndryshimet klimatike mund të ndikojë në shëndetin mendor dhe mirëqenien e njerëzve, edhe në rastet kur ata nuk kanë përjetuar drejtpërdrejt përmbytje, zjarre apo fatkeqësi të tjera natyrore.
Kështu thuhet në një raport të ri të Qendrës Evropiane të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të publikuar më 10 nëntor 2026, i cili trajton ndikimin e ndryshimeve klimatike në shëndetin mendor të popullsisë.
Sipas raportit, shqetësimi për të ardhmen e planetit mund të shkaktojë stres, të ndikojë në cilësinë e gjumit dhe të pengojë aktivitetet e përditshme, veçanërisht te të rinjtë.
OBSH thekson se këto ndjenja nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se një person ka çrregullim të shëndetit mendor.
"Ndjenja e shqetësimit, zemërimit ose trishtimit për ndryshimet klimatike mund të jetë përgjigje e kuptueshme ndaj një kërcënimi real dhe të vazhdueshëm. Këto ndjenja nuk janë, në vetvete, dëshmi e një çrregullimi të shëndetit mendor. Por kur shqetësimi bëhet i papërballueshëm, ndikon në jetën e përditshme ose i lë njerëzit të ndihen të pafuqishëm, mbështetja ka rëndësi. Ne duhet të ndihmojmë njerëzit – veçanërisht të rinjtë – të ndërtojnë rezistencë, të gjejnë lidhje dhe të kthejnë shqetësimin në kontribute domethënëse për të adresuar ndryshimet klimatike, duke siguruar që ata që kanë nevojë për kujdes profesional të shëndetit mendor të kenë akses në të." tha Dr. Ledia Lazeri, Këshilltare Rajonale për Shëndetin Mendor, OBSH/Evropë.
Raporti shqyrton 20 iniciativa në 15 shtete të Rajonit Evropian të OBSH-së, duke përfshirë mënyra të ndryshme për të adresuar shqetësimin klimatik si dhe mbështetjen për shëndetin mendor pas ngjarjeve ekstreme të motit.
OBSH rekomandon që shëndeti mendor të përfshihet më shumë në politikat klimatike dhe në planet për përgatitjen dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore.

