Spanja nuk arriti të bindë në ndeshjen e saj të parë në Kupën e Botës 2026, duke hasur në rezistencë të fortë nga Kepi i Gjelbër në një përballje ku kampionët e Evropës vuajtën gjatë për të krijuar epërsi.
Skuadra e Luis de la Fuente dominoi posedimin dhe krijoi rastet më të mira, por u përball me një Vozinha të jashtëzakonshëm, i cili mbajti gjallë shpresat e përfaqësueses afrikane deri në sekondat e fundit.
Rasti i parë i madh erdhi në minutën e 39-të, kur Ferran Torres goditi traversën nga afërsia. Topi i kthyer u gjet nga Mikel Oyarzabal, por goditja e tij me kokë u ndal nga Vozinha me një pritje të shkëlqyer.
Vetëm pak minuta më vonë, Ferran Torres humbi një tjetër mundësi të artë, duke mos arritur të mposhtte portierin kundërshtar nga një pozicion ideal brenda zonës.
Luis de la Fuente hodhi në lojë edhe Lamine Yamal, Nico Williams dhe Dani Olmo në kërkim të fitores, ndërsa Kepi i Gjelbër u mbrojt me disiplinë dhe organizim të admirueshëm.
Madje, skuadra afrikane ishte shumë pranë një surprize historike në minutën e parë shtesë. Pas një goditjeje nga këndi, Diney Borges u ngrit më lart se të gjithë dhe goditi fuqishëm me kokë drejt këndit të portës, por Unai Simón realizoi një pritje spektakolare që shpëtoi Spanjën.
Në fund, spanjollët nuk arritën të gjenin rrugën e golit ndaj një Kepi të Gjelbër që tregoi karakter, disiplinë dhe organizim të shkëlqyer, duke fituar respektin e të gjithëve me paraqitjen e tyre në debutimin botëror. /Telegrafi/
