Nexhmedin Spahiu, profesor universitar, tha se Kosova do ta ketë më të vështirë me klasën e re politike të Serbisë pasi që sipas tij klasa e re ka ardhur në mënyrë demokratike.
Tutje gjatë emisionit “Këndi i Debatit” në Tëvë1, tha se për interesin tonë ne duhej të punonim pasi që sipas tij kemi pasur një qeveri e cila ishte e shantazhueshme nga BE-ja, gjë e cila do duhej të ishte në interesin tonë ndërkaq tani që klasa e re ka ardhur në mënyrë demokratike, janë më intelektualë dhe nacionalistë do të ketë vështirësi .
“Ka me pasur presione nga Perëndimi, ka me bërë më pak punë, sepse nuk munden me i shantazhuar. S’munden me thënë që jeni të korruptuar. Ata kanë me thënë: “Na jepni pak kohë ta stabilizojmë pushtetin në Serbi, pastaj do të merremi me Kosovën”, theksoi Spahiu.
Ai ka folur edhe për çështjen e dialogut dhe njohjen nga Serbia ku ka thënë se Kosova ka humbur rastin ta siguroj këtë njohje gjatë dy viteve të kaluara.
“Gjatë këtyre dy viteve që ne jemi marrë me këtë, qeveria, parlamenti, numrat – ne kemi humbur shansin më të artë për ta marrë njohjen nga Serbia dhe për ta zbatuar Planin Franko-Gjerman, i cili nënkupton njohjen në heshtje të Kosovës nga Serbia.Ne kemi pasur një qeveri së cilës po i digjej toka nën këmbë dhe ishte e shantazhueshme nga BE-ja, edhe që ne mund të bënim për interesin tonë në këtë drejtim”, tha ai.

