Rusia do të furnizojë Iranin me 90 lëshues për raketa të avancuara, sipas dokumenteve të rrjedhura nga industria ruse e mbrojtjes, të cilat hedhin dritë mbi shkallën e bashkëpunimit ushtarak mes Moskës dhe Teheranit.
Dokumentet, të siguruara nga Dallas Analytics, një kompani private ukrainase e inteligjencës, dhe të ndara me gazetën britanike “The Guardian”, përshkruajnë planet për t’i furnizuar Iranit lëshues për raketat LMUR. Këto raketa të drejtuara lëshohen nga helikopterët luftarakë dhe janë përdorur gjerësisht nga forcat ruse kundër objektivave ukrainase që prej nisjes së pushtimit në shkallë të plotë në vitin 2022.
Një plan prodhimi i hartuar në maj të vitit 2024 nga kompania Vympel, një prej projektuesve kryesorë rusë të raketave dhe sistemeve të lëshimit, përfshin një porosi prej 90 lëshuesish, sipas një kontrate eksporti të identifikuar me kodin “K-10”. Dorëzimi i tyre ishte parashikuar të kryhej nga fundi i vitit 2024 deri në dhjetor 2025.
Dokumente të tjera të brendshme identifikojnë shprehimisht Iranin si destinacion të kontratës me kodin “K-10”.
Megjithatë, dokumentet nuk konfirmojnë nëse lëshuesit u dorëzuan përfundimisht në Iran. Ndërkohë, një tjetër plan prodhimi, që parashikonte furnizimin e Iranit me gjashtë avionë stërvitorë Yak-130 në vitin 2023, përputhet me raportimet publike për dorëzimin e këtyre avionëve.
Dokumentet ofrojnë të dhëna të reja mbi bashkëpunimin ushtarak ruso-iranian në një moment delikat, ndërsa Uashingtoni po shqyrton hapat e ardhshëm në luftën kundër Iranit, pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Vëzhguesit e konsiderojnë gjerësisht Moskën si një nga përfituesit kryesorë të një lufte të zgjatur në Iran, e cila i ka sjellë Rusisë avantazhe strategjike dhe ekonomike.
Rusia ka përfituar nga rritja e çmimeve globale të energjisë, e shkaktuar nga ndërprerjet e transportit detar përmes Ngushticës së Hormuzit dhe sulmet ndaj infrastrukturës energjetike në të gjithë Gjirin Persik.
Të ardhurat më të larta nga nafta i sigurojnë Kremlinit burime shtesë financiare për luftën në Ukrainë dhe mund të ndihmojnë në lehtësimin e presionit mbi buxhetin e rënduar rus.

