Gëzimin sikur paraardhësit e tyre nuk do të mund ta përjetojnë këtë premte, kadetët e rinj të Policisë së Kosovës.
395 prej tyre s’do të arrijnë ta shijojnë ceremoninë e diplomimit që e pritën gjashtë muaj.
Kjo iu kumtua të mërkurën e arsyeja doli të jetë mungesa e uniformave e pajisjeve tjera përcjellëse.
Klani mëson se bëhet fjalë për gjeneratën e 63-të në Policinë e Kosovës, që kanë filluar trajnimin më 27 prill të këtij viti në Vushtrri.
Data e paracaktuar ishte 30 tetori, por sipas burimeve të televizionit kjo do të shtyhet deri me datën 6.
Mungesa e furnizimit të rregullt me uniforma, është temë e kamotshme, që sipas nënkolonelit në pension, Refki Morina e pamundëson operimin normal të policëve.
Mospajisja me elementet bazike, sipas deputetes Besa Kabashi-Ramaj, ngre pikëpyetje për kërkesa më të mëdha operacionale.
Klani për këtë temë ka dërguar pyetje edhe më parë në Policinë e Kosovës dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por nga to s’ka pranuar përgjigje.

