Gazetari Shkumbin Kajtazi ka vlerësuar se dorëheqja e Bedri Hamzës nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës nuk ishte befasi, por një veprim i pritshëm.
Duke komentuar dorëheqjen e Hamzës në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Kajtazi tha se reflektimi i një kryetari partie , sipas tij është një veprim i natyrshëm.
“Dorëheqja e tashme, përveç kohës kur është bërë, për bindjen time nuk është ndonjë befasi. Është e pritshme, siç do të duhej të ndodhte edhe në partitë e tjera, ose në partinë tjetër opozitare”.
“Reflektimi i një kryetari partie që nuk ka arritur t’i mbërrijë objektivat në zgjedhje është normale që do të reflektonte me një dorëheqje, sepse duhet të lëshojë rrugë, jo thjesht për atë klishe që thuhet “gjeneratat e reja”, por thjesht për t’ia nxjerrë barabarin punës së vet”, u shpreh ai.
Duke folur për zgjedhjet në vend, Kajtazi tha se rezultatet e PDK-së në aspektin e numrit të votave janë interpretuar si pozitive.
“Si rezultat, shpeshherë është interpretuar që ka qenë pozitiv në kuptimin e rritjes së votës. Për shembull, në shkurt të vitit 2025, PDK-ja ka arritur 192 mijë vota, nëse nuk gaboj, që ka qenë numër i konsiderueshëm votash. Mirëpo, në radhitjen e partive ka mbetur parti e dytë”, deklaroi Kajtazi.

