Gazetarja e Klan Kosovës, Blerta Ahmeti, e cila siguroi audio-incizimet e Arlinda Zekajt të publikuara në emisionin “MAT”, ka rrëfyer procesin e sigurimit dhe verifikimit të materialeve, si dhe vështirësitë gjatë kontaktimit të institucioneve të përfshira në rast.
Në emisionin "Shoqet", Ahmeti ka treguar se fillimisht kishte kontaktuar avokaten e Arlindës, nga e cila kishte siguruar dokumentacionin e lëndës, ndërsa më pas kishte tentuar të merrte përgjigje nga institucionet përkatëse.
“Kemi rënë në kontakt me avokaten e Arlindës, aty i kemi marrë shkresat e lëndës dhe gjithçka që ne kemi transmetuar në MAT. Pastaj të martën, nga mëngjesi deri në darkë, jemi munduar me trokitë në secilën derë të institucioneve që kanë qenë të përfshira në këtë proces. Por sigurisht, përveç QPS-së, Prokurorisë dhe kryetarëve të gjykatës në Pejë, të tjerat dyer kanë qenë të mbyllura për ne. Ishin krejt të izoluar për të dhënë informacione”, ka deklaruar Ahmeti.
Ajo ka treguar se materialet janë përgatitur dhe publikuar në disa pjesë, ndërsa audio-incizimet përmbanin edhe biseda të Arlindës me persona të ndryshëm.
“Të mërkurën jemi kujdesur që me editu atë material. Më kanë mbetur disa video pa i përfshirë në materialin e të mërkurës, pastaj e kemi ripërsëritur të njëjtën video në mesditë ditën tjetër. Të mërkurën nxorëm edhe audio-incizimet e Arlindës në stacionin policor, pastaj të enjten kemi përfshirë edhe deklarata të tjera të cilat po ashtu i ka incizuar. Audiot me motrën, pastaj me një toger tjetër”, ka rrëfyer gazetarja.
Ahmeti ka bërë të ditur se Arlinda kishte raportuar disa herë në Inspektoratin Policor të Kosovës për moskryerjen e detyrave nga zyrtarët policorë në Vitomiricë dhe Pejë.
Ajo ka theksuar se publikimi i ankesave me zërin e Arlindës u pasua me shkarkimin e togerit Faruk Muqolli.
“Arlinda ka shkuar në IPK disa herë dhe ka raportuar disa herë për moskryerjen e detyrave të policëve edhe në Vitomiricë dhe në Pejë. Në momentin kur ne i publikuam ankesat me zërin e Arlindës dhe ato ankesa morën jehonë, po atë ditë u shkarkua togeri Faruk Muqolli”, ka deklaruar Ahmeti.

