KORREKT / SOT2 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

Shkruhet historia: Kimi Antonelli bëhet kampioni më i ri në historinë e Formula 1

Shkruhet historia: Kimi Antonelli bëhet kampioni më i ri në historinë e Formula 1

Kimi Antonelli ka shkruar historinë në Formula 1, duke u shpallur kampion bote në moshën vetëm 20-vjeçare dhe duke u bërë piloti më i ri që arrin këtë sukses në historinë e garave më prestigjioze.

Piloti italian i Mercedesit e siguroi titullin të dielën në Çmimin e Madh të Meksikës, katër gara para përfundimit të sezonit 2026, pas një edicioni të jashtëzakonshëm në vetëm vitin e tij të dytë në Formula 1.

Antonelli e përfundoi garën në pozitën e tretë, duke grumbulluar 15 pikë, të mjaftueshme për t’i eliminuar matematikisht të gjithë rivalët e mbetur në garën për titullin botëror.

“E bëmë! Ju faleminderit shumë”, ishin fjalët emocionuese të italianit përmes radios së ekipit, menjëherë pasi kaloi vijën e finishit.

Me këtë triumf, Antonelli theu rekordin e Sebastian Vettel, i cili ishte 23-vjeçar kur fitoi titullin e parë botëror në vitin 2010. Kështu, italiani bëhet kampioni më i ri në historinë e Formula 1.

Ky sukses ka edhe një domethënie të veçantë për Italinë, pasi Antonelli është piloti i parë italian që shpallet kampion bote që nga Alberto Ascari në vitin 1953.

Dominimi i tij gjatë sezonit ka qenë mbresëlënës. Në 19 garat e zhvilluara deri më tani, ai ka regjistruar nëntë fitore, duke lënë pas edhe bashkëlojtarin e tij te Mercedes, George Russell, i cili në fillim të sezonit konsiderohej favorit për titullin.

Në garën e Meksikës, fitoren e mori Max Verstappen i Red Bullit, ndërsa Lewis Hamilton me Ferrarin përfundoi i dyti. Antonelli u rendit i treti, ndërsa Russell e mbylli garën në pozitën e gjashtë, pasi mori një penalizim prej dhjetë sekondash për një incident në pistë.

Pikërisht Russell ishte rivali kryesor i italianit në garën për titull, por problemet teknike dhe rezultatet e dobëta në disa gara ia vështirësuan ndjekjen e tij.

Sezoni nisi me Russellin në qendër të vëmendjes, pasi britaniku fitoi garën e parë në Australi. Megjithatë, Antonelli reagoi në mënyrë spektakolare, duke fituar pesë garat pasuese dhe duke marrë kryesimin e kampionatit që në garën e tretë të sezonit.

Një moment vendimtar ishte periudha kur italiani fitoi në Kanada dhe Monako, ndërsa Russell nuk arriti të grumbullonte asnjë pikë në këto dy gara, për shkak të një problemi mekanik dhe një gabimi në strategjinë e ndalesave në bokse. Epërsia e Antonellit u rrit në 68 pikë pas garës së gjashtë.

Ish-drejtuesi i Haas në Formula 1, Guenther Steiner, u shpreh i befasuar nga pjekuria e italianit, duke theksuar se ai ka tejkaluar pritshmëritë në raport me përvojën e tij.

“Kimi na ka befasuar të gjithëve me pjekurinë e tij. Natyrisht, e dinim se kishte shpejtësi dhe talent, por nuk besoj se shumë njerëz prisnin që këtë vit të ishte kaq i shpejtë dhe ta mposhtte një bashkëlojtar kaq të fortë si George”, deklaroi Steiner për NBC News.

“Nuk e prisja këtë. Ai është 20-vjeçar, por ka mendjen e një piloti 30-vjeçar me përvojë në Formula 1. Pikërisht kjo e ka bërë atë atë që është sot”, shtoi ai.

Kështu, Antonelli ka hyrë në historinë e Formula 1, duke u bërë jo vetëm kampioni më i ri i të gjitha kohërave, por edhe duke rikthyer Italinë në majën e këtij sporti pas 73 vjetësh. Një arritje e jashtëzakonshme për një pilot që ndodhet vetëm në sezonin e dytë./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.