Dhjetëra delegacione nga vende të ndryshme u larguan nga salla e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara gjatë fjalimit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Largimi ndodhi në shenjë proteste ndaj politikave të Izraelit dhe luftës në Gaza. Gjatë largimit të përfaqësuesve u dëgjuan protesta dhe fishkëllima në sallë, ndërsa anëtarët e delegacionit izraelit u ngritën në këmbë dhe duartrokitën Netanyahun.
Në reagim ndaj largimit të delegacioneve, Netanyahu i quajti ata “frikacakë moralë”, shkruan cnn.
“Nëse ka ndonjë frikacak tjetër moral në këtë sallë, ju lutem largohuni tani”, tha Netanyahu gjatë fjalimit të tij.
Para fjalimit të kryeministrit izraelit, delegacioni palestinez u kishte bërë thirrje delegacioneve të tjera që t’i bashkoheshin protestës dhe të largoheshin nga salla.
Netanyahu mbrojti politikat e Izraelit dhe kritikoi vendet që kanë dënuar zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, duke përmendur në veçanti Francën dhe Britaninë e Madhe.
Ai foli gjithashtu për dhunën e kolonëve izraelitë ndaj komuniteteve palestineze në Bregun Perëndimor, duke thënë se mediat po fokusohen te një grup i vogël të rinjsh.
“Unë nuk mund ta toleroj këtë. Nuk do të lejoj vetëgjyqësinë dhe marrjen e ligjit në duart e individëve”, tha Netanyahu.
Fjalimi i Netanyahut u zhvillua në një sallë që ishte mbushur gradualisht para fillimit të fjalimit të tij, ndërsa largimi i delegacioneve u shndërrua në një nga momentet kryesore të seancës së Asamblesë së Përgjithshme. /Telegrafi/