Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar më 7 nëntor në disa qytete të Kosovës, ndërsa në disa prej tyre të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Në Pejë, një burrë dhe një grua janë shoqëruar në stacionin policor pas një mosmarrëveshjeje mes tyre. Me vendim të prokurorit, burri është dërguar në mbajtje, ndërsa gruaja është liruar në procedurë të rregullt, transmeton Klankosova.tv.
Në Klinë, dy persona dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një grua, e cila është bashkëshorte e njërit dhe njerkë e tjetrit. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Në Gjakovë janë raportuar dy raste. Në rastin e parë, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka shqetësuar bashkëshorten e tij, me të cilën nuk jeton më. Në rastin tjetër, dy familjarë dyshohet se kanë ushtruar dhunë psikike dhe kanë fyer njëri-tjetrin. Pas intervistimit, të dy janë liruar.
Në Leposaviq, një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Podujevë, një burrë dhe një grua janë përleshur pas një mosmarrëveshjeje. Të dy kanë refuzuar tretmanin mjekësor dhe janë liruar pas intervistimit.
Një rast tjetër është raportuar në Prishtinë, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Të gjitha rastet janë bërë të ditura në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

