Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë 7 nëntorit në komuna të ndryshme të vendit.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rastet janë regjistruar në Podujevë, Prishtinë, Pejë, Klinë, Gjakovë dhe Leposaviq.
Në Podujevë, një burrë dhe një grua janë shoqëruar në stacionin policor pas një përleshjeje fizike mes tyre, që kishte ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje. Të dy kanë refuzuar tretmanin mjekësor, ndërsa pas intervistimit janë liruar me vendim të prokurorit.
Në Prishtinë, një person është arrestuar nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij. I dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër është raportuar në Pejë, ku pas një mosmarrëveshjeje mes bashkëshortëve, burri është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa gruaja është liruar në procedurë të rregullt.
Në Klinë, dy persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë sulmuar fizikisht një grua, e cila ishte bashkëshortja e njërit dhe njerka e tjetrit. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Gjakovë janë raportuar dy raste. Në të parin, një person është arrestuar pasi dyshohet se kishte shqetësuar bashkëshorten, me të cilën nuk jetonte prej kohësh. Në rastin e dytë, dy familjarë janë arrestuar pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë psikike dhe kanë fyer njëri-tjetrin. Pas intervistimit, të dy janë liruar dhe rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Edhe në Leposaviq është raportuar një rast i dhunës në familje, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij pas një mosmarrëveshjeje. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Të gjitha rastet janë duke u trajtuar nga organet kompetente.

