Pas suksesit në futbollin e nivelit më të lartë, Pedri nuk i harron rrënjët dhe familjen që e ndihmoi të ndiqte ëndrrën e tij.
Mesfushori i Barcelonës ka rrëfyer histori të veçanta nga fëmijëria, duke kujtuar veçanërisht gjyshin e tij, i cili ishte një tifoz i jashtëzakonshëm i klubit katalunas.
Gjyshi i tij drejtonte një restorant në Tenerife, i cili njëkohësisht shërbente si një nga qendrat më të mëdha të tifozëve të Barcelonës në Ishujt Kanarie.
Pedri u rrit mes fotografive të familjes dhe futbollistëve të klubit, ndërsa pjesën më të madhe të fëmijërisë e kalonte duke luajtur futboll në bodrumin e lokalit.
Dashuria e gjyshit për Barcelonën ishte aq e madhe, saqë, sipas rrëfimit të Pedrit, ai refuzonte madje të zbriste nga aeroplani gjatë një ndalese në Madrid, pasi nuk dëshironte të shkelte në kryeqytetin spanjoll.
Fatkeqësisht, gjyshi nuk jetoi aq gjatë sa ta shihte nipin duke veshur fanellën e Barcelonës.
Megjithatë, Pedri e mban gjithmonë në kujtesë, duke pranuar se pasioni për futbollin dhe dashuria për klubin katalunas janë trashëgimia më e çmuar që mori prej tij. /Zëri

