Shqipëria U19 e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme kualifikueset e Europianit për grupmoshën U19, Liga B, teksa kuqezinjtë mposhtën 4 – 0 Qipron. Mesfushori Armend Muslika rezultoi protagonist me dy gola, konkretisht në minutat 48-të dhe 66-të.
Finalizimet e tjera te Shqipëria mbajtën “firmën” e Gabriel Kullës dhe Elson Himallarit. Për sa i takon U17, barazuan 0 – 0 karshi Suedisë në “Elbasan Arena”, kualifikueset e “EURO 2027”. Për këto paraqitje pozitive, ka reaguar përmes postimit në rrjetet sociale, kreu i FSHF-së, Armand Duka. “Urime çunave kuqezi të ekipit kombëtar U-19 për fitoren bindëse 4 – 0 kundër Qipros.
Ju përgëzoj për triumfin, por edhe për lojën, vendosmërinë dhe dëshirën për të marrë tre pikët në këtë ndeshje. Bravo çuna, bravo trajneri Tafaj! Dua të përgëzoj edhe kombëtaren U-17 për barazimin e vyer 0 – 0 përballë një kundërshtari të fortë si Suedia. Vazhdoni kështu çuna”, mesazhi i Dukës.

