Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar pasuri me vlerë totale 77 milionë lekë në kuadër të hetimeve për trafik narkotikësh, pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme, datë 14 tetor 2026, është vendosur sekuestro preventive mbi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të dy shtetasve nën hetim dhe familjarëve të tyre.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë një tokë arë me sipërfaqe 2 mijë metra katrorë në Sharrë të Tiranës, kuotat 100% të shoqërisë “Check Company” sh.p.k., si dhe 25 automjete, përkatësisht 24 automjete Volkswagen dhe një Toyota, shkruan A2 CNN, transmeton klankosova.tv.
Sipas SPAK-ut, hetimet kanë zbuluar një organizatë kriminale me shtrirje ndërkombëtare, e cila dyshohet se bashkëpunonte me grupe të tjera për transportimin e lëndëve narkotike drejt porteve evropiane dhe investimin e fitimeve në pasuri e biznese në Shqipëri dhe jashtë vendit.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me EUROPOL-in dhe autoritetet e Belgjikës, Francës, Holandës, Gjermanisë dhe Italisë, duke analizuar edhe komunikimet e enkriptuara në platformën SkyECC. Në kuadër të procedimit janë caktuar masa sigurimi personal ndaj 16 personave.
Njoftimi i SPAK:
Sekuestrohen pasuri me vlerë 77 milionë lekë në kuadër të procedimit penal nr. 187/2023 për trafik narkotikësh dhe pastrim parash.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të procedimit penal nr. 187 të vitit 2023 ka zhvilluar paralelisht edhe hetimin pasuror. Ky hetim ka identifikuar pasuri që përbëjnë produkte të veprimtarisë kriminale në emër të subjekteve në hetim dhe familjarëve të tyre.
Me vendimin nr.667, datë 14.10.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë caktoi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të shtetasve A.Ç. dhe F.C., me vlerë totale 77.000.000 lekë.
Në emër të shtetasit A.Ç:
Pasuria nr. 349/47, zona kadastrale 3321, vol. 12, faqja 5, “Tokë Arë”, me sipërfaqe 2000 m2, e ndodhur në Sharrë, Tiranë, në pronësi edhe të shtetases A.Ç.

