Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës lidhur me situatën e krijuar me energjinë elektrike në vend.
Përmes një postimi në Facebook, Ramadani ka thënë se kriza me energjinë është dëshmia më e qartë, sipas tij, e mungesës së punës dhe investimeve nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.
Ai ka renditur edhe një sërë problemesh në sektorë të tjerë, për të cilat ka adresuar kritika ndaj ekzekutivit.
“Përpos çmimeve që po rriten çdo ditë, mungesës totale të investimeve, dështimeve enorme në arsim e shëndetësi, kushteve të mjerueshme të policëve, ushtarëve e zjarrfikësve, ikjes së madhe të qytetarëve jashtë vendit, nepotizmit të paparë nëpër krejt institucionet, çështja e rrymës ia qet kulmin këtij mentaliteti qeverisës tash e 6 vjet. Nga kriza në krizë, pa ide për investime, pa plan për zhvillim”, ka shkruar Ramadani.
Ai e ka paraqitur situatën me energjinë si një tjetër tregues të asaj që e konsideron mungesë të planifikimit dhe investimeve nga Qeveria.

