Qyteti i Cyrihut ka zhvilluar një platformë të re online për shkollat fillore, e cila synon t’i ndihmojë fëmijët dhe të rinjtë të kuptojnë më mirë inteligjencën artificiale (IA), mundësitë që ofron dhe rreziqet që mund të sjellë në jetën e përditshme shkollore.
Platforma është falas dhe përdorimi i saj është vullnetar. Ajo u prezantua të mërkurën në një konferencë për media nga këshilltari i Bashkisë, Balthasar Glättli, nga Partia e të Gjelbërve, shkruan Watson.
Përmbajtja e platformës përfshin harta të njohurive, video të realizuara nga nxënësit, ushtrime dhe materiale frymëzuese, përmes të cilave fëmijët mund të njihen më nga afër me inteligjencën artificiale.
Një nga synimet kryesore të kësaj platforme është që nxënësit të mësojnë të mendojnë në mënyrë të pavarur dhe të vlerësojnë në mënyrë kritike rezultatet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale, transmeton Telegrafi.
Për këtë arsye, zhvilluesit kanë vendosur që platforma të mos përmbajë udhëzime teknike apo rekomandime për aplikacione të caktuara. Qyteti i Cyrihut vlerëson se fëmijët duhet fillimisht të zhvillojnë aftësinë për të menduar vetë dhe për të shqyrtuar në mënyrë kritike informacionet që marrin nga IA-ja.
Ndërkohë, shkollat do të vazhdojnë të përcaktojnë vetë rregullat për përdorimin e inteligjencës artificiale gjatë provimeve dhe detyrave të shtëpisë.
Përmbajtja do të testohet nëpër shkolla
Bordi shkollor ka nisur testimin e përmbajtjes së platformës përmes punëtorive me klasat shkollore.
Me këtë nismë, Qyteti i Cyrihut po i përgjigjet një kërkese të paraqitur në Këshillin e Qytetit në vitin 2023, e cila kishte të bënte me trajtimin e inteligjencës artificiale në shkolla./Telegrafi/

