Pesë persona janë arrestuar nga karabinierët në zonën e Triestes, në Itali, në kuadër të një operacioni kundër trafikut dhe shpërndarjes së kokainës.Në mesin e të arrestuarve janë tre shtetas italianë nga Trieste dhe dy shtetas shqiptarë, banues në rajonin e Lombardisë.
Operacioni u zhvillua nga efektivët e Njësisë Operative dhe Radiomobile të Karabinierëve të Aurisinës, në zbatim të një urdhri për masën e sigurisë “arrest me burg”, të lëshuar nga Gjykata e Triestes me kërkesë të Prokurorisë.
Hetimet nisën në muajin shkurt, pas sekuestrimit të disa dozave kokainë te konsumatorë lokalë, të cilët dyshohet se e kishin blerë lëndën narkotike në banesën e një 59-vjeçari në Duino Aurisina, shkruan media italiane, Friulioggi.
Pas këtij konstatimi, hetuesit zhvilluan vëzhgime, ndjekje dhe përgjime telefonike e ambientale, duke arritur të identifikojnë personat e dyshuar si korrierë, furnizues dhe financues të rrjetit të shpërndarjes së kokainës në provincën e Triestes.
Gjatë hetimeve u arrestuan në flagrancë edhe dy burra, 59 dhe 62 vjeç, të dy nga Trieste, të cilët u kapën duke transportuar përkatësisht 100 dhe 33 gramë kokainë.
Sipas hetuesve, rrjeti kishte një mënyrë të organizuar shpërndarjeje, pasi lënda narkotike u dërgohej klientëve drejtpërdrejt në banesat e tyre ose në vendet e punës.
Blerësit ishin kryesisht konsumatorë të rregullt nga zona e Triestes, të cilët janë identifikuar dhe raportuar tek autoritetet.
Në mesin e personave të dyshuar si furnizues kryesorë është një 49-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili ndodhet prej disa muajsh në burgun e Bergamos, pasi ishte arrestuar më herët për posedim të 94 kilogramëve kokainë me qëllim trafikimin.
Sipas hetimeve, një pjesë e kësaj sasie dyshohet se ishte destinuar për tregun e drogës në Trieste, transmeton Telegrafi.
Pas përfundimit të procedurave, tre të arrestuarit nga Trieste u dërguan në burgun Ernesto Mari të këtij qyteti, ndërsa dy shtetasit shqiptarë në institucionet e vuajtjes së dënimit në Bergamo dhe Brescia.
Personat e arrestuar konsiderohen të dyshuar dhe vlejnë për ta parimi i prezumimit të pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë./Telegrafi/

