Presidentja Justina Shiroka-Pula, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Gjatë takimit, ambasadori Hargreaves e ka uruar Shiroka-Pulën për marrjen e detyrës së presidentes dhe i ka dëshiruar sukses në ushtrimin e mandatit, transmeton Klankosova.tv.
Presidentja e ka falënderuar ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, duke vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për mundësitë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, me fokus të veçantë në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik.
Po ashtu, temë e diskutimit kanë qenë edhe proceset integruese euroatlantike të Kosovës.
Shiroka-Pula ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për forcimin e partneritetit strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, duke shprehur mirënjohje për kontributin britanik në sigurinë, zhvillimin dhe avancimin ndërkombëtar të vendit.

