Java ka nisur me kushte relativisht të qëndrueshme atmosferike dhe mot kryesisht me diell, si pasojë e ndikimit të përkohshëm të një fushe të presionit të lartë.
Megjithatë, sipas parashikimeve, gjatë orëve të pasdites pritet destabilizim i masave ajrore, duke sjellë zhvillim të vranësirave konvektive.
Si rezultat, gjatë ditës së hënë parashihen reshje lokale shiu, të shoqëruara në disa zona edhe me shkarkime rrufesh.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3 dhe 6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 14 deri në 18 gradë. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi prej 1 deri në 8 metra në sekondë.
Të martën, territori do të ndikohet nga një sistem frontal më i fuqishëm, i cili pritet të sjellë reshje shiu në të gjithë vendin. Në disa zona, reshjet mund të jenë më intensive dhe të shoqëruara me aktivitet të shtuar konvektiv, përfshirë rrufe.
Edhe dita e mërkurë do të karakterizohet nga kushte relativisht të paqëndrueshme, megjithatë reshjet do të jenë më të shpërndara dhe kryesisht në formë rigash lokale, si pasojë e dobësimit gradual të sistemit frontal.
Nga dita e enjte pritet përmirësim i dukshëm i motit, falë riaktivizimit të fushës anticiklonike, duke sjellë kushte më të qëndrueshme dhe me më pak mundësi për reshje.
Sa i përket kushteve agrometeorologjike, ato paraqiten përgjithësisht të favorshme gjatë gjithë javës.
Temperaturat minimale nuk pritet të zbresin në vlera negative, përveç ndonjë zone malore, duke përjashtuar rrezikun nga ngricat pranverore dhe duke krijuar kushte të mira për zhvillimin e kulturave bujqësore dhe aktivitetet në terren. /Telegrafi/