Arrestimi i ish-shefit të BND-së mund të tingëllojë alarmues, por krahu i inteligjencës së Berlinit prej kohësh është parë si shumë më pak i fuqishëm nga sa do të pritej.
Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Modernizues, i aftë dhe i ashpër ndaj Rusisë. August Hanning konsiderohej të kishte të gjitha këto gjatë shtatë vjetëve të tij si kreu i inteligjencës gjermane.
Tani, reputacioni profesional i këtij ish-shefi të spiunazhit, i cili e drejtoi homologun gjerman të MI6-it – të njohur si BND – nga viti 1998 deri më 2005, është rrënuar pasi u arrestua nën akuzën se dyshohet se i kishte kaluar informacion të klasifikuar një fuqie të huaj të paidentifikuar.
Një ish-spiun i cili është habitur nga lajmi është Sir Richard Dearlove, kreu i MI6-it gjatë pothuajse gjithë kohës kur Hanningu ishte në detyrë. “E njihja shumë mirë”, thotë Dearlove. “Ishte i jashtëzakonshëm, një koleg i shkëlqyer. Ai e modernizoi BND-në dhe e zhvendosi nga Pulahu [në Bavari] në Berlin. Gëzonte respekt të madh”.
Dearlove, i cili e pa Hanningun për herë të fundit në vitin 2004, shton se ish-kolegu i tij ishte “vërtet i ashpër ndaj Rusisë”, pavarësisht se ishte emëruar nga Gerhard Schröder – nga kancelari gjerman i njohur për qëndrimin e tij të butë dhe më vonë pro-Putin.
Prokurorët pretendojnë se pasi u largua nga BND-ja, Hanningu arriti të siguronte nga një punonjës me emrin Manfred D – i cili më parë kishte drejtuar zyrën e tij – “afërsisht dy mijë dokumente, shumë prej të cilave përmbanin informacion të klasifikuar”.
Manfred D më pas shërbeu si shef kabineti i pasardhësve të Hanningut në postin e presidentit të BND-së – nga viti 2012 e deri në këtë vit. Gjatë pjesës më të madhe të asaj kohe, Manfred D dyshohet se përdorte qasjen që ia mundësonte pozita e tij për ta furnizuar Hanningun me dokumente kundrejt parave.
Sa i përket asaj që Hanning supozohet se ka bërë me këtë informacion, prokurorët thonë se ai “përdori informacione të klasifikuara të inteligjencës” për të “hartuar një analizë për një oficer të një shërbimi të huaj të inteligjencës”. Ata pretendojnë gjithashtu se Hanningu ishte në “kontakt të ngushtë me një përfaqësues të një tjetër shërbimi të huaj të inteligjencës”.
E gjithë kjo ngre pyetjen: nëse ndonjëra prej këtyre akuzave vërtetohet në gjykatë, sa i madh do të ishte dëmi? Përgjigjja mund të jetë se rrjedhjet e informacionit nga BND-ja mund të jenë më pak të dëmshme nga sa mund të mendonit. Pse? Për arsyen e thjeshtë se Gjermania ka një peshë shumë më të vogël nga ajo që i takon në botën e inteligjencës.
Për shkak të trashëgimive të kobshme të Gestapos dhe Stasit të Gjermanisë Lindore, BND-ja duhet të veprojë brenda një rrjeti të dendur kufizimesh ligjore. Një ish-zyrtar i tha The Economist-it se shërbimit i ndalohet të hyjë me forcë në ambiente ose të vërë në shënjestër komunikimet e “priftërinjve, avokatëve, mjekëve apo gazetarëve”.
Kjo e bën BND-në më pak një agjenci klasike të inteligjencës jashtë vendit dhe më shumë një institut studimor. Ajo përqendrohet tek analiza dhe jo tek ajo që spiunët e quajnë “grumbullim” – detyra themelore e rekrutimit dhe drejtimit të agjentëve për të vjedhur sekrete në vende të tjera.
Çfarëdo informacioni që Hanningu mund të ketë marrë nga ish-kolegu i tij, ai ndoshta do të kishte njohuri të brendshme mbi mënyrën e të menduarit të vetë qeverisë gjermane dhe mbi opsionet politike që po shqyrtonin udhëheqësit e vendit.
Por, në çdo demokraci me media të lira, qeveria e zhvillon të paktën pjesërisht në publik procesin e saj të të menduarit, që do të thotë se informacioni në fjalë mund të mos ketë qenë veçanërisht befasues apo i ndjeshëm.
Prokurorët lënë të kuptohet po aq kur pretendojnë se Hanningu i kishte “kaluar informacion politik” një shërbimi të huaj të inteligjencës. Çdo gazetë gjermane boton çdo ditë informacion politik për qeverinë e vendit.
A ndajnë shërbimet e tjera perëndimore sekrete me BND-në e cila mund të jenë komprometuar? Është e arsyeshme të supozohet se ato do të kenë qenë shumë të kujdesshme me atë që u tregonin homologëve të tyre gjermanë, pasi BND-ja ka një histori të gjatë dhe të turpshme infiltrimi prej agjencive armiqësore.
Mes shumë rasteve gjatë Luftës së Ftohtë, kreu i kundërspiunazhit të BND-së, Heinz Felfe, doli se punonte për Bashkimin Sovjetik, ndërsa një analiste e lartë me emrin Gabriele Gast – e cila e informonte personalisht Helmut Kohlin, asokohe kancelar – spiunonte për Gjermaninë Lindore.
Madje, në vitin 2023, The Telegraph zbuloi një trajner futbolli me emrin Carsten Linke si agjent të dyshuar rus brenda BND-së. Ai tani po gjykohet.
Duke pasur parasysh këtë histori, duket e pamundur që ndonjë informacion veçanërisht i ndjeshëm nga agjencitë e NATO-s të ketë rënë në duart e Hanningut.
Nuk ka as ndonjë tregues se në shërbim të cilave vende Hanningu supozohet të ketë qenë. Kandidatët e qartë do të ishin Rusia, Kina dhe Irani, ndërsa dy të fundit do të ishin më të mundshëm nëse Hanningu ishte vërtet i ashpër ndaj Rusisë.
Kina ka një oreks të pangopur për informacion pothuajse të çdo lloji, qoftë i klasifikuar apo jo. Por, për këdo që Hanningu mund të ketë punuar ose mund të mos ketë punuar, Gjermania është një vend ku arrestimi i një ish-shefi të spiunazhit është më pak alarmues nga sa mund të mendoni. /Telegrafi/