Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka larguar nga detyra e tij në Shtabin e Përbashkët (Joint Staff) gjenerallejtënantin e Ushtrisë, Brett Sylvia, një strateg të lartë ushtarak në Pentagon, raportoi të mërkurën gazeta “The Hill”.
Hegseth e shkarkoi Sylvian – i cili drejtonte Drejtorinë për Strategji, Plane dhe Politika të Shtabit të Përbashkët, e njohur si “J-5” – gjatë kësaj jave, njoftoi media në fjalë, duke cituar dy zyrtarë amerikanë të njohur me çështjen, të cilët folën në kushte anonimiteti për të diskutuar mbi çështjet e personelit, shkruajnë media të ndryshme, përcjell Telegrafi.
Arsyeja e largimit të Sylvia nuk u bë menjëherë e qartë.
“Kryetari (i Shefave të Shtabit të Përbashkët, gjenerali Dan Caine), Shtabi i Përbashkët dhe Forca e Përbashkët shprehin mirënjohjen e tyre më të thellë për gjenerallejtënant Brett Sylvia-n dhe familjen e tij, për 32 vitet e shërbimit të shquar ndaj kombit tonë”, tha për “The Hill” një zëdhënës i Shtabit të Përbashkët.
“Ne i urojmë atij dhe familjes së tij më të mirat, ndërsa ata nisin rrugëtimin drejt mundësive të reja dhe kapitujve të ardhshëm të jetës së tyre”.
Sipas “The Hill”, nuk është ende e qartë se kush do ta zëvendësojë atë.
Largimi i Sylvias ndodh në një kohë kur vëmendja është përqendruar më shumë te planifikimi ushtarak amerikan në lidhje me Iranin.
Mediat vendase kanë raportuar më herët se Komanda Qendrore e SHBA-së kishte hartuar plane për sulme të mundshme ndaj Iranit, të cilat mund të kryhen pas zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor, nëse merret autorizimi nga Shtëpia e Bardhë.
Largimi i Sylvia shënon një tjetër ndryshim në nivelet e larta të personelit ushtarak nën drejtimin e Hegseth-it, i cili mori detyrën e Sekretarit të Mbrojtjes në janar të vitit 2025. /Telegrafi/

