Forcat Ajrore të SHBA-së kanë tërhequr të gjithë bombarduesit që ndodheshin të dislokuar në bazën britanike RAF Fairford, ka konfirmuar ushtria amerikane.
Në një deklaratë, Forcat Ajrore amerikane thanë se bombarduesit e saj operojnë rregullisht në vende të ndryshme të botës, në kuadër të përgatitjes së forcave dhe përmbushjes së kërkesave operacionale, transmeton Telegrafi.
“Për shkak të kërkesave të sigurisë operacionale, nuk kemi mundur të konfirmojmë në kohë reale lëvizjen e mjeteve dhe forcave tona. Megjithatë, tani mund të konfirmojmë se të gjithë bombarduesit amerikanë që ishin dislokuar në RAF Fairford janë rikthyer në bazat e tyre në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në deklaratë.
SHBA theksoi se personeli që operon flotën e bombarduesve amerikanë, përfshirë avionët B-1, B-2 dhe B-52, mbetet në gatishmëri për të kryer misione sulmi me precizion në çdo pjesë të botës.
Sipas Forcave Ajrore amerikane, këto operacione mund të zhvillohen edhe nga bazat në territorin kontinental të SHBA-së, duke ruajtur aftësinë për të kryer misione “kudo dhe në çdo kohë”.
RAF Fairford është një nga bazat kryesore të përdorura nga SHBA-ja në Evropë për operimin dhe dislokimin e bombarduesve strategjikë. /Telegrafi/