Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka pohuar se është bërë “shumë përparim” gjatë bisedimeve me Iranin gjatë fundjavës, pavarësisht se të dy palët nuk arritën të bien dakord për një rezolutë.
Duke folur për Fox News të hënën, Vance – i cili udhëhoqi delegacionin amerikan në bisedimet në kryeqytetin pakistanez Islamabad – tha se Uashingtoni i kishte komunikuar Teheranit se ku “mund të bënte disa lëshime dhe ku jo”.
Ai këmbënguli se Donald Trump ishte i vendosur që çdo material bërthamor i pasuruar duhet të hiqet nga Irani dhe të vendoset një mekanizëm për të verifikuar se nuk po zhvillon armë bërthamore.
Vance shtoi se Teherani “lëvizi në drejtimin tonë, prandaj mendoj se do të thoshim se kishim disa shenja të mira”, por ai pretendoi se “ata nuk lëvizën mjaftueshëm”.
Ai gjithashtu paralajmëroi se “nëse iranianët do të përpiqen të angazhohen në terrorizëm ekonomik, ne do t’i përmbahemi një parimi të thjeshtë që asnjë anije iraniane nuk do të dalë nga aty”.
Komentet e zëvendëspresidentit vijnë mes raportimeve për bisedime të vazhdueshme midis SHBA-së dhe Iranit, me Trumpin që thotë se SHBA-ja është “thirrur nga pala tjetër” dhe këmbëngul se “ata do të donin shumë të bënin një marrëveshje”.
Kujtojmë se të hënën, SHBA-ja filloi një bllokadë ndaj porteve iraniane, me Trumpin që kërcënoi të “eliminonte” çdo anije iraniane pranë bllokadës.
Alaeddin Boroujerdi, një anëtar i komitetit të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Iranit, e përshkroi këtë veprim si propagandë të pabazuar ushtarakisht dhe paralajmëroi se çdo anije e Marinës Amerikane që përpiqet të bllokojë portet e Iranit do të “dërgohet në fund të detit”. /Telegrafi/