Cagliari dhe Juventusi barazuan 1-1 në kuadër të javës së gjashtë të Serie A, por vëmendjen pas ndeshjes e mori përplasja e ashpër mes dy trajnerëve, Fabio Pisacane dhe Luciano Spalletti.
Sapo gjyqtari Matteo Marcenaro sinjalizoi përfundimin e takimit, trajnerët iu afruan njëri-tjetrit. Ajo që në fillim dukej si një përshëndetje e zakonshme, u shndërrua shpejt në një përplasje verbale dhe më pas fizike.
Situata u përshkallëzua aq shumë, saqë asistentët dhe gjyqtarët u detyruan të ndërhynin për t’i ndarë. Pas incidentit, gjyqtari Marcenaro u tregoi kartonë të kuq të dy trajnerëve.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga DAZN, që angazhoi një ekspert të leximit të buzëve, Spalletti iu afrua Pisacanes dhe, në vend të një përshëndetjeje të zakonshme, i tha: “Mirë që di si të fitosh kohë”.
Teksa të dy iu afruan njëri-tjetrit, trajneri i Cagliarit ia shtrëngoi dorën kolegut të tij më të vjetër. Megjithatë, reagimi i Spallettit ishte i menjëhershëm: “Çfarë po bën?! Do të të qëlloj me shuplakë!”.
Pas këtyre fjalëve, situata doli jashtë kontrollit dhe dy trajnerët u përplasën, përpara se të ndaheshin nga personat e pranishëm. Në fund, të dy u ndëshkuan me kartonë të kuq.
Si pasojë e përjashtimit, Spalletti pritet të mungojë në ndeshjen e ardhshme të Juventusit kundër Lazios, ndërsa Pisacane nuk do të jetë në stol për Cagliarin në takimin ndaj Monzës. /Telegrafi/

