Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari, është takuar me ushtruesen e detyrës së shefes së Misionit në Ambasadën e SHBA-së, Nicole Varnes, me të cilën ka diskutuar për prioritetet reformuese në drejtësi dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh.
“Partneriteti strategjik me SHBA-në është mbështetje e rëndësishme për reformat tona, veçanërisht në forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
“Theks të veçantë i kushtuam reformës së legjislacionit penal dhe rëndësisë së ekspertizës amerikane në këtë proces, si dhe digjitalizimit të drejtësisë dhe forcimit të kapaciteteve institucionale”.
“Shpreha mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme amerikane, përfshirë projektin për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Drogat, të financuar nga Byroja INL e Departamentit Amerikan të Shtetit. Vazhdojmë bashkëpunimin për rezultate konkrete dhe një sistem drejtësie më funksional, të pavarur dhe efikas”, ka shkruar Shasivari në Facebook.

