Kombëtarja e Senegalit është bërë skuadra e parë që ka siguruar matematikisht biletën për në Kupën e Kombeve të Afrikës 2027, duke e arritur këtë sukses të martën, pa pasur nevojë të zhvillojë ndeshjen e radhës.
Ky kualifikim erdhi si rezultat i fitores minimale 1-0 të Mozambikut ndaj Etiopisë në kuadër të Grupit J. Ky rezultat bën që Senegali, i cili kryeson grupin me 10 pikë të grumbulluara pas katër ndeshjeve të para, të mos mund të zbresë më poshtë se dy pozitat e para, duke prerë kështu biletën për në finalet kontinentale kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në fund të fazës kualifikuese.
Me këtë arritje, Senegali u bashkohet tre vendeve bashkë-organizatore të turneut, Kenisë, Ugandës dhe Tanzanisë në mesin e 24 kombëtareve që do të garojnë në ngjarjen e madhe të futbollit afrikan, e cila nis në muajin qershor.
Ndërkohë, vëmendja rreth kombëtares senegaleze mbetet e lartë edhe jashtë fushës së blertë. Kujtojmë se Senegali triumfoi 1-0 në finalen e diskutueshme të Kupës së Kombeve 2025 ndaj vendit pritës, Marokut, por titulli iu mor më pas nga Komiteti i Apelit i Konfederatës së Futbollit Afrikan (CAF). Vendimi erdhi pas akuzave se lojtarët senegalezë braktisën fushën në shenjë proteste ndaj vendimeve të gjyqtarit.
Kjo çështje tashmë është shqyrtuar nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) dhe verdikti përfundimtar pritet të publikohet në javët në vijim. /IndeksOnline/

