Ditë më parë ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se të premten do ta caktojë datën e mbledhjes konstituive të Kuvendit të Republikës.
Haxhiu ka paralajmëruar se kjo datë do të jetë në fillim të gushtit.
Në një deklaratë për media, ushtruesja e detyrës së presidentes pati thënë se nuk është nxituar të caktojë seancën me arsyetim që partitë të kenë kohë të mjaftueshme për të negociuar rreth zgjedhjes së presidentit.
“Unë i kam mbështetur dhe i kam përshëndetur takimet që janë zhvilluar ndërmjet kryeministrit dhe kryetarit aktual të Vetëvendosjes zotit Albin Kurti. Siç e dini i ka pas dy takime, njëra me PDK- në, tjetra me LDK-në. LDK-ja i ka pezulluar takimet për shkak të zhvillimeve të brendshme. Natyrisht që unë nuk komentoj çështjet e brendshme të partive politike, por është shumë e rëndësishme që, sa më parë, këto takime të vazhdojnë në mënyrë që të vijim dhe arrihet një marrëveshje për çështjen e presidentit”, tha ajo.
Ajo mohoi të ketë pasur ndonjë marrëveshje mes Kurtit e Lumir Abxhixhikut për formim të institucioneve, përfshirë çështjen e presidentit.
“Nuk ka pasur marrëveshje. Po të kishte marrëveshje sigurisht që do ta bënim publike. Në takim ka qenë Kryeministri Kurti dhe Ministri i Financave z. Murati, dhe në anën tjetër Zoti Abdixhiku dhe zonja Osmani Sadriu. Ka pasur diskutime për rrugën që do ta ndjekim përpara, por jo marrëveshje”, ishte shprehur Haxhiu. /Telegrafi/
