Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Ermal Sadiku, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se edhe nëse LDK-ja i sjell nënshkrimet e kërkuara, nuk do të sigurohej kuorumi i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.
Sadiku iu kundërpërgjigj Kurtit pas thirrjes së këtij të fundit që LDK të dorëzojë 13, 14 apo 15 nënshkrime për kandidatin e saj, duke argumentuar se përllogaritja nuk e zgjidh problemin e kuorumit.
Sipas tij, nëse 63 votave që, sipas Kurtit, ekzistojnë në sallë, u shtohen edhe 13 deputetë të LDK-së, numri arrin në 76, ndërsa për kuorum nevojitet prania e 80 deputetëve.
“Po thotë: I kam 63 vota në sallë. Le të m’i sjellë LDK-ja edhe 13 ose 14 sa t’i kenë dhe e zgjedhim Feriden presidente. Po s’bëhet, o Albin. 63 + 13 bëjnë 76. Të duhen 80”, ka deklaruar Sadiku.
Ai ironizoi me ndryshimin, sipas tij, të vazhdueshëm të shifrave të përmendura nga Kurti për kuorumin e nevojshëm, duke thënë se fillimisht janë kërkuar 85 deputetë, më pas 90.
Sadiku e cilësoi qasjen e Kurtit si të paqartë dhe kërkoi, siç tha, përqendrim në interpretimin e saktë të procedurës për zgjedhjen e presidentit.