Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, ka deklaruar se nuk beson që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta braktisin Aleancën, pavarësisht deklaratave të fundit të presidentit amerikan, Donald Trump për një tërheqje të mundshme.
Në një intervistë për edicionin e së dielës të gazetës gjermane Welt, Rutte theksoi se, me gjithë tensionet dhe pakënaqësitë e shprehura nga Uashingtoni, ai nuk sheh një skenar real të largimit të SHBA-së nga NATO.
Deklarata e tij vjen pasi lideri amerikan refuzoi ofertën e vendeve anëtare të NATO-s për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës në Ngushticën e Hormuzit.
Ai kritikoi aleatët, duke i cilësuar si “të padobishëm” në momentet kur, sipas tij, SHBA kishte nevojë për mbështetje, duke iu referuar mungesës së përfshirjes së tyre në konfliktet në Lindjen e Mesme.
“Presidenti Trump është qartësisht i zhgënjyer me disa anëtare të NATO-s dhe e kuptoj zemërimin e tij”, u shpreh Rutte, duke shtuar se zgjidhja qëndron në forcimin e rolit të Evropës brenda Aleancës.
Rutte bëri thirrje për “një Evropë më të fortë brenda një NATO-je më të fortë”, duke nënvizuar rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit transatlantik në një kohë sfidash të shumta për sigurinë globale. /Telegrafi/