KORREKT / SOT21 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

Rusia liron 74-vjeçarin amerikan pas vizitës së të dërguarit të Trumpit

Rusia liron 74-vjeçarin amerikan pas vizitës së të dërguarit të Trumpit

Stephen Hubbard, një shtetas amerikan që mbahej i burgosur në Rusi prej më shumë se katër vitesh nën akuzat për mercenarizëm në Ukrainë, është liruar pas vizitës së të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff, në Shën Petersburg.

Hubbard, një mësues në pension ishte klasifikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit si person i ndaluar padrejtësisht.

Presidenti Donald Trump deklaroi të martën se kishte ngritur çështjen e tij gjatë bisedës me presidentin rus, Vladimir Putin.

Pas takimit, Witkoff falënderoi Putinin për lirimin e shtetasit amerikan. Nga ana e tij, presidenti rus bëri të ditur se Hubbard ndodhej në aeroportin Pulkovo të Shën Petersburgut, në të njëjtin aeroport ku kishte mbërritur më herët të mërkurën edhe i dërguari amerikan, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.

Para vizitës së Witkoffit, një zyrtar amerikan kishte deklaruar se në fokus të takimit do të ishte edhe përpjekja për të siguruar lirimin e Hubbardit, në kuadër të angazhimit të Trumpit për kthimin në atdhe të shtetasve amerikanë të ndaluar padrejtësisht jashtë vendit.

Hubbard kishte kaluar disa dekada duke punuar si mësues i gjuhës angleze jashtë SHBA-së. Në vitin 2014, ai ishte vendosur në qytetin ukrainas të Iziumit, në lindje të vendit, i cili u pushtua nga forcat ruse në fillim të pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022.

Sipas mediave shtetërore ruse, prokurorët pretendonin se Hubbard kishte luftuar në Izium pasi kishte nënshkruar një kontratë me pagesë rreth 1.000 dollarë në muaj. Megjithatë, motra e tij, Patricia Hubbard Fox, i ka mohuar këto akuza, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

Lirimi i tij vjen pas një tjetër rasti të ngjashëm në gusht, kur Robert Gilman u lirua nga ndalimi në Rusi për arsye humanitare, mes shqetësimeve të mëdha për gjendjen e tij shëndetësore. Ish-marinsi amerikan u kthye në SHBA me një avion të specializuar mjekësor, në gjendje të rënduar fizike.

Organizata që kishte mbështetur rastin e tij deklaroi se ai ishte torturuar gjatë qëndrimit në burg.

Megjithatë, disa shtetas amerikanë vijojnë të mbahen në burgjet ruse.

Andre Khachatoorian, me prejardhje armene, u arrestua në vitin 2021 dhe u dënua me tetë vjet e gjysmë burg për trafik armësh, akuza të cilat ai i mohon. Ai u ndalua gjatë një udhëtimi nga SHBA-ja drejt Armenisë, përmes Moskës.

David Barnes u arrestua në vitin 2022. Sipas Fondacionit Foley, organizatë që angazhohet për lirimin e pengjeve dhe personave të ndaluar padrejtësisht, arrestimi i tij erdhi pas akuzave të ngritura nga ish-bashkëshortja, e cila kishte dërguar dy djemtë e tyre nga Teksasi në Rusi. Organizata pretendon se akuzat për abuzim ishin rrëzuar më parë në dy raste nga autoritetet e Teksasit.

Ndërkohë, Aleksander Antonov, një shtetas amerikan i natyralizuar që kishte ardhur në SHBA si refugjat nga Bashkimi Sovjetik, u arrestua në vitin 2025 teksa po përpiqej të kalonte nga Rusia në Estoni. Sipas Fondacionit Foley, ai u akuzua për nxitje të terrorizmit dhe ekstremizmit dhe u dënua me gjashtë vjet burg.

Në burgjet ruse ndodhet gjithashtu Olga Jezler, rezidente e përhershme në SHBA, e cila u arrestua për trafik droge dhe u dënua me 10 vjet burg në vitin 2022. Sipas fondacionit, ajo po transportonte vaj CBD të ligjshëm për motrën e saj, e cila vuante nga kanceri i gjirit, por prokurorët rusë e klasifikuan substancën si vaj hashashi.

Një tjetër rast është ai i Chuck Zimmerman, ish-ushtarak i marinës amerikane, i cili, sipas mbështetësve të tij, u ndalua nga marina ruse ndërsa lundronte në ujëra ndërkombëtare. Ai u akuzua për trafik armësh pasi kishte një armë zjarri në bord.

Pas lirimit të Gilmanit, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit kishte shprehur shpresën se ky zhvillim do të hapte rrugën edhe për lirimin e amerikanëve të tjerë që, sipas Uashingtonit, mbahen padrejtësisht në Rusi.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.