Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka inspektuar gjendjen e rrugës R212, në segmentin që përfshin Budrikën, Zhegërin dhe Stançiqin, deri në kufi me Maqedoninë e Veriut.
Ai ka bërë të ditur se për këtë segment do të hartohet një projekt për rehabilitim të plotë, i cili më pas do të pasohet me procedurat për realizim.
“Lajmi i mirë është se do të hartojmë projektin për rehabilitimin e plotë të këtij segmenti. Pas përfundimit të projektit, do të fillojmë procedurat për rehabilitim, në mënyrë që banorët dhe të gjithë qytetarët që e shfrytëzojnë këtë rrugë të kenë një infrastrukturë më të sigurt”, ka deklaruar Basha.
Ai shtoi se vizitat në terren i ndihmojnë për të parë nga afër gjendjen reale të infrastrukturës dhe për të planifikuar projektet sipas prioriteteve.
“Edhe kur nuk jam në zyrë, më gjeni në terren. Vizitat dhe inspektimet e drejtpërdrejta më japin informacionin më të saktë për gjendjen reale të rrugëve dhe më ndihmojnë t’i planifikojmë me përgjegjësi projektet e rindërtimit”, ka thënë ai.
Gjatë vizitës në Stançiq, Basha ka falënderuar edhe zyrtarët doganorë dhe policorë për punën e tyre në pikën kufitare. /Telegrafi/
