Në pikën kufitare të Morinit, në Kukës, të shtunën, më 28 nëntor, do të organizohet një protestë paqësore me kërkesë për heqjen e barrierave doganore dhe krijimin e një zone të lirë ekonomike që përfshin qytetet ndërkufitare ku jetojnë shqiptarët.
Protesta është paralajmëruar të nisë në orën 09:00 dhe organizohet nga Lidhja Qytetare Shqiptare Amerikane.
Në njoftimin e organizatorëve thuhet se iniciativa synon të kundërshtojë barrierat kufitare që, sipas tyre, vazhdojnë të pengojnë integrimin ekonomik, zhvillimin rajonal dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë.
“Sot, kur flitet për një Ballkan të Hapur, shqiptarët vazhdojnë të përballen me barriera kufitare mes njëri-tjetrit”, thuhet në njoftim.
Sipas organizatorëve, protesta synon të përcjellë një mesazh për bashkëpunim më të madh ekonomik dhe institucional, në interes të qytetarëve dhe bizneseve në të dyja anët e kufirit.
Aktiviteti organizohet nga presidenti i Lidhjes Qytetare Shqiptare Amerikane, producenti Fatmir Bardhoci, ndërsa pritet pjesëmarrje e qytetarëve nga Kosova dhe Shqipëria.
Organizatorët kanë ftuar mediat që ta përcjellin protestën dhe të sensibilizojnë opinionin publik për kërkesat e kësaj nisme.

