KORREKT / SOT22 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Kulture

Rromir Imami, fotografi shqiptar që po ndërton identitetin e tij artistik në Zvicër: Të përdorë dritën për t’i paraqitur njerëzit në një dritë më të mirë

Rromir Imami, fotografi shqiptar që po ndërton identitetin e tij artistik në Zvicër: Të përdorë dritën për t’i paraqitur njerëzit në një dritë më të mirë

Fotografi shqiptar Rromir Imami, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, përmes portreteve të tij synon të tregojë më shumë sesa pamjen e jashtme të njeriut. Për të, fotografia është një mënyrë për të zbuluar identitetin dhe autenticitetin e secilit person, duke e parë atë përtej asaj që shihet në shikim të parë.

Në një intervistë për Telegrafin, Imami flet për fillimet e tij në fotografi, sfidat e ndërtimit të karrierës në Zvicër dhe ndikimin e prejardhjes shqiptare në krijimtarinë e tij. Ai tregon edhe për projektin artistik “Pa(k) fytyrë / FaceLESS”, përmes të cilit sfidon mënyrën se si e kuptojmë portretin dhe identitetin njerëzor, si dhe për përvojën e tij si portretist në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Friburg (FIFF).

Në këtë bisedë, Imami ndan edhe mendimet e tij për raportin mes pasionit dhe profesionit, rëndësinë e lirisë krijuese dhe këshillat për të rinjtë shqiptarë që duan të ndjekin rrugën e artit. Për të, sfida më e madhe është të ruajë dashurinë për fotografinë edhe atëherë kur ajo bëhet profesion: “Për mua, sfida e vërtetë nuk është ta shndërroj pasionin në profesion, por të mos lejoj që profesioni të ma zbehë pasionin.”, shprehet Imami për Telegrafin.

Telegrafi: Kush është Rromir Imami dhe si nisi rrugëtimi juaj në botën e fotografisë? Kur e kuptuat se fotografia do të bëhej profesioni juaj?

Rromir Imami: Nëse do të më lejohej ta përshkruaja veten në një mënyrë paksa jokonvencionale, do të thosha se Rromir Imami është një lloj poeti që, në vend të penës, përdor dritën për të shkruar.

Rrugëtimi im në fotografi filloi në momentin kur zbulova aparatin fotografik si një instrument të përshtatshëm për shprehjen time artistike dhe vizuale. Ndoshta kjo lidhet edhe me një dëshirë të kahershme për t’u shprehur përmes muzikës, për të cilën, fatkeqësisht, nuk kisha as talentin, as veshin e duhur. Kështu, në vend që të kompozoja me tinguj, fillova të kërkoja mënyrën time të të shprehurit përmes dritës dhe imazhit.

Kam përshtypjen se pjesa më e rëndësishme e rrugëtimit tim në fotografi ka ndodhur shumë përpara se ajo të shndërrohej në profesion, pikërisht gjatë periudhës kur ishte thjesht pasion.

Në fund të fundit, shndërrimi i fotografisë në profesion është, deri diku, një akt administrativ: regjistron një biznes, hap një llogari bankare, vendos emrin në regjistrin e kompanive e kështu me radhë. Por të gjitha këto janë vetëm formalizimi i një rrugëtimi shumë më të gjatë, gjatë të cilit ndërtohet marrëdhënia personale me fotografinë, zhvillohet gjuha vizuale dhe kultivohet ndjeshmëria artistike.

Madje, do të thosha se shndërrimi i fotografisë në profesion e bën atë pak më të pamëshirshme. Në momentin kur fotografia bëhet edhe burim të ardhurash, ajo duhet t’u nënshtrohet rregullave të tregut, kërkesave të klientëve dhe logjikës së biznesit. Dhe jo gjithmonë këto përputhen me lirinë e shprehjes artistike.

Prandaj, ndonjëherë e gjej veten duke menduar se ndoshta do të preferoja që fotografia të mbetej vetëm pasion, një instrument i shprehjes sime artistike, sesa të shndërrohej në një mjet biznesi apo mbijetese.

Në fund, për mua sfida e vërtetë nuk është ta shndërroj pasionin në profesion, por të mos lejoj që profesioni të ma zbehë pasionin.

Telegrafi: Ju e keni ndërtuar karrierën tuaj në Zvicër. Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha për të krijuar emër si fotograf dhe për të fituar besimin në tregun zviceran?

Rromir Imami: Fillimisht mbiemri, pastaj edhe emri. Ndoshta tingëllon paksa e çuditshme, por pikërisht këto kanë qenë ndër sfidat e mia të para dhe më të mëdha për të krijuar emër si fotograf në Zvicër.

Pa dyshim, një kombinim si Rromir Imami nuk është ndër emrat më të zakonshëm, e ndoshta as më atraktivët, në një shoqëri ku besimi ndërtohet me shumë kujdes dhe ku ajo që është e panjohur shpesh pritet me njëfarë rezerve.

Kam përshtypjen se më është dashur të punoj shumë më tepër sesa disa nga kolegët e mi, kushtimisht t’i quajmë vendas, jo vetëm për të dëshmuar cilësinë e punës sime, por edhe për të kapërcyer barriera kulturore dhe për të fituar pranimin e njerëzve me të cilët dëshiroja të bashkëpunoja.

Edhe prezantimi në takimet e para kishte sfidat e veta. Një emër që fillon me dy R dhe një mbiemër si Imami mund të tingëllojnë paksa ekzotikë për veshin zviceran. Megjithatë, me kalimin e kohës mësova ta shndërroj këtë veçanti në një mundësi për të krijuar kontakt.

Shpesh bëj shaka se Rromir tingëllon paksa si Romeo, ndonëse unë nuk jam aq romantik sa ai. E, kur më jepet rasti, shpjegoj edhe kuptimin e emrit tim, “të rrosh mirë”, që në vetvete tingëllon si një imperativ jetësor, një porosi e vazhdueshme për ta jetuar jetën mirë. Nganjëherë mjafton pikërisht një bisedë e tillë për të thyer akullin, për të nxitur një buzëqeshje dhe për të mbetur në kujtesën e bashkëbiseduesit.

Por, sigurisht, emri mund të hapë një bisedë, jo domosdoshmërisht edhe një derë profesionale. Besimi fitohet përmes punës, bashkëpunimit, përkushtimit dhe, mbi të gjitha, rezultateve. Pikërisht këto kanë bërë që shumë kontakte fillestare të shndërrohen në bashkëpunime afatgjata.

Megjithatë, vazhdimisht kam ndier se puna ime duhej të ishte jo vetëm e mirë, por edhe më e dëshmuar, më e veçantë, më unike. Nuk mjaftonte të bindja klientët për aftësitë e mia profesionale. Duhej, në njëfarë mënyre, të arrija të prekja jo vetëm mendjen, por edhe zemrën e tyre.

Telegrafi: Puna juaj përfshin projekte artistike dhe portrete. Çfarë dëshironi të përcillni përmes fotografive tuaja dhe çfarë ju dallon nga fotografët e tjerë?

Rromir Imami: Motoja ime është: “Të përdor dritën për t’i paraqitur njerëzit në një dritë më të mirë.”

Është një rrugëtim që fillon me dritën fizike, atë fotografike, të cilën përpiqem ta shndërroj në një dritë metaforike dhe metafizike, me synimin përfundimtar për të arritur te autenticiteti i njeriut që kam përballë.

Unë nuk bëj fotografi të bukura. Ose, të paktën, bukuria nuk është qëllimi im parësor. Kjo lidhet me bindjen time se bukuria është një koncept thellësisht subjektiv. Aq më tepër në ditët e sotme, kur perceptimi ynë për të ndikohet gjithnjë e më shumë nga standarde artificiale, imazhe të idealizuara dhe një estetikë që shpesh ka pak të bëjë me realitetin.

Për mua, fotografia nuk duhet domosdoshmërisht ta zbukurojë realitetin, por të përpiqet ta zbulojë atë. Nuk më intereson aq shumë të krijoj një imazh të përsosur, sa të arrij të kap diçka të vërtetë nga njeriu që fotografoj.

Në këtë kuptim, autenticiteti është njëkohësisht pikënisja dhe synimi i punës sime. Është një përpjekje e vazhdueshme, jo vetëm si fotograf, por edhe si njeri, për ta parë tjetrin përtej pamjes së jashtme dhe për ta paraqitur në një dritë më të mirë, pa ia ndryshuar atë që është në të vërtetë.

Nuk e di nëse kjo më dallon nga fotografët e tjerë dhe, të them të drejtën, as që përpiqem të jem domosdoshmërisht ndryshe. Më intereson shumë më tepër marrëdhënia që krijoj me njeriun që fotografoj sesa krahasimi me kolegët e mi. Besoj se një portret i mirë nuk lind vetëm nga mënyra se si fotografi e sheh subjektin, por edhe nga mënyra se si ky i fundit ndihet i parë.

Telegrafi: Projekti juaj artistik “Pa(k) fytyrë / FaceLESS” trajton portretin dhe identitetin. Si lindi kjo ide dhe cili është mesazhi që dëshironi t’i përcillni publikut përmes saj?

Rromir Imami: Ideja për projektin artistik “Pa(k) fytyrë / FaceLESS” lindi, në fakt, nga një gabim teknik. Si fotograf që merrem kryesisht me portretin, vazhdimisht eksperimentoj me mënyra të ndryshme të përdorimit të dritës, me synimin për ta parë dhe paraqitur njeriun nga një këndvështrim tjetër.

Pikërisht gjatë një eksperimenti të tillë, një gabim teknik më çoi drejt një pyetjeje që më pas u bë pikënisja e gjithë projektit: A mund të krijojmë një portret me pa(k) fytyrë? Apo, më saktë, në cilin moment një portret pushon së qeni portret?

Kjo pyetje më solli ndër mend një skenë nga filmi “Qiramarrësi” (Le Locataire / The Tenant, 1976) i Roman Polanskit, ku personazhi kryesor, Trelkovsky, shtron një dilemë thellësisht filozofike mbi identitetin njerëzor: në cilin moment njeriu pushon së qeni ai që mendon se është? Nëse i hiqet një pjesë e trupit, pastaj një tjetër, e kështu me radhë, ku mbetet thelbi i tij?

Kjo dilemë më shtyu ta shtroj të njëjtën pyetje në kontekstin e portretit fotografik: nëse një portreti ia fshehim sytë, hundën, gojën dhe, në fund, gjithë fytyrën, në cilin moment ai pushon së qeni portret?

Kështu, projekti filloi të zhvillohej si një eksperiment fotografik, por gradualisht mori një dimension më të gjerë artistik dhe filozofik, duke vënë në pikëpyetje marrëdhënien mes fytyrës, portretit dhe identitetit. Paradoksi që më interesonte ishte pikërisht ky: a është e mundur që, duke fshehur fytyrën, të zbulojmë më shumë për njeriun?

Një element shumë i rëndësishëm që e karakterizon këtë projekt është bashkëpunimi. Personat që kam fotografuar nuk kanë qenë thjesht subjekte përpara aparatit, por bashkëpunëtorë në realizimin e idesë. Së bashku kemi kërkuar mënyrën se si mund të krijohet një portret ku fytyra nuk është elementi kryesor, por që, paradoksalisht, mund të zbulojë diçka më të thellë për personin e portretizuar.

Bashkëpunimi vazhdon edhe pas realizimit të fotografive. Koleksionin e imazheve ia kam besuar shkrimtarit, poetit dhe përkthyesit Agron Tufa, i cili, përmes imagjinatës dhe lirisë së tij krijuese, ndërton një narrativë letrare të pavarur, duke u dhënë fotografive një dimension tjetër interpretimi.

Përmes këtij projekti, nuk synoj t’i jap publikut një përgjigje përfundimtare mbi identitetin, por më tepër ta ftoj të reflektojë: sa shumë varemi nga fytyra për ta njohur tjetrin dhe sa shumë mund të humbasim duke u ndalur vetëm te ajo?

Në këtë kuptim, mesazhi i projektit mund të përmblidhet edhe në një fjali të thjeshtë: “Me pak fytyrë, më shumë portret.”

Në fund të fundit, fytyra është ajo që na bën të dallueshëm, por jo domosdoshmërisht ajo që na përcakton.

Telegrafi: Sa ka ndikuar prejardhja juaj shqiptare në identitetin tuaj artistik? A mendoni se përmes punës suaj keni arritur ta prezantoni kulturën shqiptare edhe në skenën zvicerane?

Rromir Imami: Pa dyshim që po. Si qenie njerëzore, secili prej nesh bart një identitet të ndërtuar nga shumë shtresa. Përkatësia kombëtare është njëra prej tyre, krahas vlerave që kemi përvetësuar, prejardhjes, arsimimit, mjedisit shoqëror, përvojave jetësore dhe kulturave me të cilat jemi takuar gjatë rrugëtimit tonë.

Natyrisht, prejardhja ime shqiptare është pjesë e pandashme e këtij identiteti dhe, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, reflektohet edhe në krijimtarinë time.

Besoj se përmes punës sime kam kontribuar edhe në prezantimin e kulturës shqiptare në skenën zvicerane. Megjithatë, do të hezitoja ta përkufizoja krijimtarinë time vetëm përmes përkatësisë kombëtare.

Identiteti im artistik është rezultat i ndërthurjes së shumë ndikimeve dhe përvojave, ndërsa dimensioni kulturor shqiptar është një pjesë e rëndësishme e kësaj tërësie.

Telegrafi: Cili është momenti në karrierën tuaj për të cilin ndiheni më krenar deri më sot dhe cilat janë projektet që synoni t’i realizoni në të ardhmen?

Rromir Imami: Një nga momentet më të rëndësishme, apo, thënë ndryshe, një nga gurët themeltarë të rrugëtimit tim si fotograf, lidhet me rolin tim si portretist në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Friburg (FIFF).

Është një nga periudhat më të veçanta të vitit për mua dhe, pa dyshim, një nga projektet më të dashura. Ajo që e bën këtë bashkëpunim kaq domethënës është marrëdhënia e natyrshme që kam ndërtuar me ekipin dhe komunitetin e festivalit, por edhe liria e shprehjes artistike që më ofrohet.

Çdo edicion është një sfidë e re krijuese: të gjej një mënyrë për ta interpretuar vizualisht identitetin, frymën dhe mesazhin e festivalit për atë vit. Është një ndërthurje interesante mes lirisë artistike dhe përgjegjësisë profesionale, ku duhet të gjej ekuilibrin ndërmjet vizionit tim si portretist dhe nevojave të festivalit. Pikërisht ky kombinim e bën bashkëpunimin veçanërisht të çmuar për mua.

Një vend po aq të rëndësishëm në rrugëtimin tim zënë edhe projektet artistike personale, ndër të cilat “Pa(k) fytyrë / FaceLESS” është një nga më domethënësit.

E shoh këtë projekt si një proces krijues të hapur, që vazhdimisht zhvillohet, ndryshon dhe merr forma të reja. Nuk e konsideroj një vepër të përfunduar, por një ide që evoluon bashkë me mua, me përvojat e mia dhe me mënyrën se si e kuptoj portretin dhe identitetin njerëzor.

Një nga synimet e mia është që këtë projekt ta prezantoj para audiencave sa më të ndryshme, në vende të ndryshme të Zvicrës, por edhe jashtë saj, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe, shpresoj, edhe në Shqipëri.

Ndalesa e radhës është New York-u, në fillim të dhjetorit të këtij viti.

Më shumë sesa një sukses i përfunduar, këto projekte i konsideroj pjesë të një rrugëtimi që vazhdon. Për mua, vlera e tyre qëndron jo vetëm te rezultati artistik, por edhe te njerëzit që takoj, marrëdhëniet që ndërtoj dhe mundësitë që më krijojnë për të vazhduar të eksploroj e të zhvillohem si fotograf.

Telegrafi: Çfarë mesazhi do t’u përcillnit të rinjve shqiptarë që kanë talent dhe ëndrra në fushën e artit, por që ende nuk kanë guximin ta ndjekin rrugën profesionale jashtë vendit?

Rromir Imami: Muzat e inspirimit nuk ekzistojnë. Të paktën, unë nuk besoj në to. Inspirimi dhe idetë nuk vijnë duke pritur ndonjë moment të jashtëzakonshëm frymëzimi, por janë rezultat i punës së vazhdueshme, këmbëngulëse dhe të palodhshme.

Besoj se mënyra më e mirë për t’i realizuar ëndrrat nuk është duke ëndërruar, por duke punuar për to. Ëndrrat mund të na tregojnë drejtimin, por është puna ajo që na çon përpara.

Dhe natyrisht, gjatë këtij rrugëtimi do të bëjmë gabime. Shumë gabime. Por nuk duhet të kemi frikë prej tyre, sepse shpesh janë pikërisht gabimet ato që shndërrohen në mësimet më të vlefshme.

Prandaj, të rinjve që dëshirojnë të ndjekin një rrugë artistike, brenda apo jashtë vendit, do t’u thosha të mos presin derisa të ndihen plotësisht të gatshëm, derisa të kenë kushtet ideale apo derisa t’u vijë inspirimi. Të fillojnë të punojnë, të eksperimentojnë, të gabojnë dhe të mësojnë.

Sepse, në fund, nuk është inspirimi ai që na shtyn të punojmë, por shpesh është puna ajo që lind inspirimin./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.