Dërgesat e diasporës në Kosovë vazhdojnë të shënojnë rritje të qëndrueshme, duke mbetur një nga shtyllat kryesore mbështetëse për ekonominë e vendit.
Sipas të dhënave të fundit nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), të publikuara nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), gjatë periudhës janar-qershor 2026 remitencat arritën vlerën prej 692 milionë eurosh.
Kjo shifër përfaqëson një rritje prej 5.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak (2025).
Më shumë se gjysma e remitencave që hyjnë në Kosovë vijnë nga dy shtete evropiane ku jeton një pjesë e madhe e mërgatës.
Gjermania prin bindshëm si burimi kryesor me 38.2% të totalit të dërgesave. Zvicra renditet e dyta me 20.4% dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në vendin e tretë me 6.4%.
Ndikimi i diasporës në ekonominë vendore ka qenë historikisht i lartë. Të dhënat e BQK-së dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se gjatë periudhës 2008–2025, vlera totale e remitencave të pranuara në Kosovë ka kapur shifrën e 15.2 miliardë eurove.
Përgjatë dekadës së fundit, dërgesat e mërgimtarëve kanë përfaqësuar vazhdimisht midis 12% dhe 14% të Produktit Brendshëm Bruto (BPV) të Kosovës, duke gjeneruar konsum familjar dhe stabilitet financiar për mijëra familje kosovare. /Telegrafi/