Një shtyllë elektrike është rrëzuar para pesë ditësh në fshatin Landovicë të Prizrenit, duke rrezikuar sigurinë e banorëve. Ata po kërkojnë nga KEDS-i që të intervenojë sa më shpejt për ta zgjidhur problemin.
Sipas raportimit të TV Prizrenit, përfaqësuesi i fshatit, Faik Berisha, ka thënë se banorët e kanë njoftuar menjëherë kompaninë për rastin, ndërsa dy ditë më vonë një ekip i KEDS-it ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kryer disa incizime. Megjithatë, sipas tij, deri më tani nuk është ndërmarrë ndonjë veprim për sanimin e problemit.
Berisha ka theksuar se banorët ndihen të rrezikuar, pasi kabllot elektrike kanë mbetur të varura shumë poshtë si pasojë e rrëzimit të shtyllës. Për këtë arsye, në pjesën tjetër të rrugës, përtej lumit, është vendosur edhe shenja e ndalimit të qarkullimit të automjeteve.
Në emër të banorëve, ai ka kërkuar intervenim urgjent për rregullimin e shtyllës së rrëzuar, por edhe të shtyllave të tjera në brendi të fshatit, të cilat, sipas tij, mbahen në këmbë në mënyrë të improvizuar, madje edhe duke u lidhur me litarë.
Ndërkohë, TV Prizreni ka bërë të ditur se ka tentuar të kontaktojë zyrtarët e distriktit të KEDS-it në Prizren për të marrë një qëndrim lidhur me këtë çështje, por ata nuk kanë qenë të qasshëm. /Telegrafi/

