Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar për tërheqjen nga përdorimi dhe qarkullimi të produktit “SELECT MILK GR”, pasi është konfirmuar tejkalimi i nivelit maksimal të lejuar të Aflatoksinës B1 (AFB1) në ushqimin për kafshë.
Sipas AUV-së, bëhet fjalë për koncentratin për lopë qumështore “SELECT MILK GR”, i prodhuar nga kompania DE HEUS D.O.O. në Serbi dhe i importuar në Kosovë nga N.P.T. “Haxhijaha” SH.P.K., me bazë në Rahovec.
“Produkti i konstatuar jokonform është koncentrati për lopë qumështore ‘SELECT MILK GR’, i prodhuar nga DE HEUS D.O.O., Republika e Serbisë, dhe i importuar në Kosovë nga N.P.T. ‘Haxhijaha’ SH.P.K., Rahovec”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
AUV ka identifikuar dy lote të produktit, me numrat 0385010426007 dhe 0385020426001, për të cilat është urdhëruar tërheqja nga qarkullimi.
“Është urdhëruar tërheqja e produktit, izolimi i sasive të mbetura dhe gjurmimi i shpërndarjes së tij deri te operatorët dhe fermat ku është përdorur”, njofton AUV.
Agjencia u ka bërë thirrje fermerëve, distributorëve dhe operatorëve që e posedojnë këtë produkt që të mos e përdorin apo vendosin në qarkullim.
“AUV u bën thirrje fermerëve, distributorëve dhe operatorëve që posedojnë produktin ‘SELECT MILK GR’ nga LOT-et e identifikuara më sipër, të mos e përdorin dhe të mos e vendosin në qarkullim, ta mbajnë të veçuar dhe të bashkëpunojnë me AUV-në dhe operatorin përgjegjës për procedurën e tërheqjes”, thuhet në njoftim.
Përveç tërheqjes së produktit, AUV ka njoftuar edhe për një masë të përkohshme parandaluese që do të jetë në fuqi për 30 ditë.
Gjatë kësaj periudhe ndalohet importi i koncentrateve dhe përzierjeve me bazë misri për lopë qumështore dhe viça, të klasifikuara nën kodin tarifor 2309909600, me origjinë ose të prodhuara në Serbi.
“Gjatë kësaj periudhe, AUV do të kryejë vlerësim të dokumentuar të rrezikut, mbi bazën e rezultateve laboratorike dhe kontrolleve zyrtare, për përcaktimin e masave të mëtejshme”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, janë intensifikuar kontrollet për Aflatoksinën B1 në misër dhe produktet me bazë misri që përdoren si ushqim për kafshë, me fokus të veçantë te ushqimi për lopët qumështore.
Sipas AUV-së, Aflatoksina B1 është një substancë toksike që mund të gjendet në misër dhe në ushqimin për kafshë.
“Sipas vlerësimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), aflatoksinat paraqesin shqetësim për shkak të efekteve toksike, gjenotoksike dhe kancerogjene, veçanërisht në mëlçi”, thuhet në njoftim.
Rreziku lidhet edhe me mundësinë që substanca të kalojë nga ushqimi i kontaminuar te qumështi. AUV shpjegon se kur lopët konsumojnë ushqim të kontaminuar me AFB1, një pjesë e saj mund të shndërrohet në Aflatoksinë M1 (AFM1) dhe të kalojë në qumësht.
“Për këtë arsye, kontrolli i AFB1 që në ushqimin për kafshë është i rëndësishëm për parandalimin e kalimit të aflatoksinave më tej në zinxhirin ushqimor”, thekson AUV.
AUV ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet në kufi dhe brenda vendit, si dhe marrjen e mostrave, analizat laboratorike dhe gjurmueshmërinë e produkteve.
Sipas agjencisë, qëllimi i këtyre masave është “identifikimi dhe ndërprerja e rrezikut që në burim, mbrojtja e shëndetit të kafshëve, siguria e prodhimeve me bazë shtazore dhe mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve”. /Telegrafi