Rreth 300 persona në Cyrih të Zvicrës do të duhet të presin deri në tre muaj për t’u vendosur në banesat e tyre të reja, pasi vonesat në punimet ndërtimore në kompleksin e banimit Koch-Areal kanë shtyrë afatet e hyrjes.
Sipas transmetuesit zviceran SRF, bëhet fjalë për 90 banesa në kompleksin e ri të banimit, ku qiramarrësit fillimisht pritej të zhvendoseshin në fund të tetorit.
Megjithatë, kooperativa e ndërtimit dhe banimit Kraftwerk1 i ka njoftuar ata për shtyrjen e afateve vetëm rreth dy javë para hyrjes së planifikuar.
Shkak për vonesat janë bërë problemet serioze me furnizimin me materiale ndërtimore, si dhe mosfinalizimi me kohë i shkallëve të ndërtesave, transmeton Telegrafi.
Për pasojë, nuk mund të plotësohen kushtet e nevojshme për lejimin e banimit.
Sipas planit të ri, hyrja në dy ndërtesa do të shtyhet për rreth gjashtë javë, ndërsa për një tjetër vonesa pritet të jetë nga 10 deri në 12 javë.
Për një ndërtesë tjetër, hyrja parashihet të realizohet sipas planit fillestar.
Njoftimi i vonuar ka krijuar vështirësi për shumë qiramarrës, pasi disa prej tyre tashmë i kanë përfunduar ose janë pranë përfundimit të kontratave të qirasë në banesat aktuale.
Për këtë arsye, Kraftwerk1 po kërkon zgjidhje të përkohshme, përfshirë banesa me qira afatshkurtër, dhoma të lira në kooperativa të tjera dhe hapësira për ruajtjen e mobilieve.
Kooperativa ka bërë të ditur se synon të mbulojë shpenzimet shtesë të shkaktuara nga vonesat, megjithëse mënyra e kompensimit ende nuk është përcaktuar përfundimisht.
Qiramarrësit gjithashtu mund të tërhiqen nga kontratat për shkak të shtyrjes së hyrjes, sipas njoftimit të kooperativës./Telegrafi/

