Rregullat e BE-së për karikuesit e zakonshëm zbatohen për laptopët që nga sot.
Kjo do të thotë që të gjithë laptopët e rinj të shitur në Bashkimin Evropian tani duhet të mbështesin karikimin USB-C, transmeton Telegrafi.
Në dhjetor 2024, rregullat hynë në fuqi për telefonat celularë, tabletët, kamerat digjitale, kufjet, konsolat e videolojërave dhe altoparlantët portativë.
Prodhuesve të laptopëve iu dha një afat më i gjatë kohor për të lejuar ridizajnimin dhe kalimin në sistemin e përbashkët të karikimit.
Direktiva e Përbashkët e BE-së për karikuesit i dha fund nevojës për karikues të shumtë dhe të ndryshëm për pajisjet.
Parlamenti Evropian miratoi rregullat e reja në vitin 2022, me Komisionin Evropian që vlerësoi në atë kohë se ky veprim do të kursente rreth 250 milionë euro për konsumatorët.
Direktiva gjithashtu siguron që shpejtësitë e karikimit të jenë të njëjta kur përdoren karikues të pajtueshëm.
Rregullat janë hartuar për të zvogëluar gjurmën mjedisore të lidhur me prodhimin dhe asgjësimin e karikuesve.
BE tha se karikuesit e hedhur dhe të papërdorur përbënin rreth 11,000 ton mbeturina elektronike çdo vit.
Në vitin 2023, Apple zëvendësoi portat e karikimit “lightning” me një karikues universal USB-C në modelet e saj më të reja të iPhone, në pritje të hyrjes në fuqi të Direktivës së Përbashkët të Karikimit të BE-së. /Telegrafi/