Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykimin në rastin e njohur si “Orenda”, që lidhet me keqtrajtimin e një të moshuare në një shtëpi të pleqve në vitin 2022.
Siç raporton gazetarja e Klan Kosovës, Diellëza Berisha e pandehura Aurona Pelaj, është shpallur fajtore pasi është vërtetuar se me dashje ka përdorur forcë fizike ndaj viktimës. Gjykata e ka dënuar atë me 2 vjet e 3 muaj burgim.
Në dënimin e shqiptuar do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 2 nëntori 2022 deri më 24 nëntor 2022, ndërsa pjesa e mbetur e dënimit do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të marrë formë të prerë.
Përveç dënimit me burgim, Gjykata ka shqiptuar edhe masën plotësuese, me të cilën Aurona Pelajt i ndalohet ushtrimi i profesionit të infermieres për një periudhë prej pesë vjetësh.
Ndërkaq, e pandehura Altina Rexhepi është liruar nga akuza. Ajo akuzohej se në bashkëkryerje me Aurona Pelajn kishte përdorur forcë ndaj viktimës duke ia mbajtur duart gjatë incidentit, mirëpo Gjykata vendosi ta lirojë nga akuza.
Sa i përket të pandehurës Remzie Kuqi, Gjykata ka refuzuar akuzën për veprën penale “Sulmi”, pasi Prokuroria ishte tërhequr nga ndjekja penale për këtë pikë të aktakuzës.
Rasti “Orenda” kishte ngjallur reagime të mëdha në opinionin publik në nëntor të vitit 2022, pas publikimit të pamjeve ku shfaqej keqtrajtimi fizik i një të moshuare nga punonjëse të shtëpisë së pleqve. /Telegrafi/
