Roma ka shënuar një fitore bindëse në udhëtim ndaj Parmës, duke triumfuar me rezultat 5-1 në kuadër të kampionatit italian.
Skuadra e drejtuar nga Gian Piero Gasperini e nisi mirë takimin dhe kaloi në epërsi në minutën e 39-të. Donyell Malen realizoi një gol të bukur, duke përfituar nga një harkim në zonë për ta dërguar topin në rrjetë për 1-0.
Parma reagoi në pjesën e dytë dhe arriti të barazonte në minutën e 54-t. Nesta Elphege bëri një depërtim të mirë individual dhe me një goditje brenda zonës mposhti portierin Mile Svilar për 1-1.
Megjithatë, Roma nuk vonoi të rikthente epërsinë. Në minutën e 68-të, Malen përfitoi nga një top i kthyer brenda zonës dhe realizoi për 2-1, duke shënuar golin e tij të dytë në këtë përballje.
Vetëm tri minuta më vonë, Rodrigo Mora e thelloi epërsinë e mysafirëve në 3-1 duke reaguar më së miri pas një topi të kthyer në zonë.
Roma vazhdoi dominimin dhe në minutën e 77-të Malen kompletoi paraqitjen fantastike, duke shënuar golin e tretë personal dhe të katërtin për skuadrën e tij.
Në minutën e 90-të, sulmuesi holandez vulosi fitoren e thellë me golin e pestë të Romës, duke e mbyllur ndeshjen me një paraqitje të jashtëzakonshme (5-1).
Me këtë triumf, Roma shkon në kuotën e 30 pikëve dhe ngjitet përkohësisht në pozitën e dytë të tabelës, deri në kompletimin e kësaj xhiroje./Telegrafi/

