Politikani i opozitës izraelite, Gadi Eisenkot – rivali kryesor i kryeministrit Benjamin Netanyahu në zgjedhjet e ardhshme – u zotua të enjten se do t’i japë fund sundimit të Hamasit në Gaza, nëse fiton postin pas votimit të 27 tetorit.
“Sot bëj një zotim publik: që nga momenti kur të hyj në zyrën e kryeministrit, brenda 18 muajve Hamasi nuk do të sundojë më në Rripin e Gazës”, deklaroi lideri i partisë së qendrës së djathtë, ‘Yashar’, gjatë një konference për shtyp pranë territorit palestinez të shkatërruar nga lufta, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ai tha se do ta arrijë këtë ose përmes zbatimit të planit të presidentit amerikan Donald Trump për armëpushim – i cili parashikon çarmatimin gradual të Hamasit dhe transferimin e pushtetit – ose përmes “operacioneve krijuese” të ushtrisë izraelite, që synojnë shkatërrimin e krahut ushtarak të lëvizjes palestineze.
Në korrik, Hamasi njoftoi se po shpërndante organin e tij qeverisës, për të lehtësuar kalimin e administratës së Gazës te një komitet i ri teknokrat palestinez, i quajtur Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG).
NCAG, i cili aktualisht e ka selinë në Kajro, u krijua pas shpalljes së një armëpushimi tetorin e kaluar dhe mbikëqyret nga Bordi për Paqe i Trumpit.
Më vonë gjatë korrikut, Hamasi njoftoi se kishte rënë dakord për një marrëveshje që përfshin dorëzimin e armëve të tij te NCAG-ja.
Megjithatë, Izraeli ka shfaqur skepticizëm; Netanyahu kërkon çarmatimin e verifikueshëm të të gjitha armëve, përpara se të bëhet ndonjë tërheqje e forcave ushtarake.
Hamasi nuk ka ndërmarrë hapa drejt çarmatimit, Izraeli ka refuzuar të përgjigjet duke nisur tërheqjen e forcave, ndërsa NCAG-ja nuk është duke operuar brenda territorit në fjalë.
Sipas kushteve të armëpushimit, forcave izraelite u lejohej të qëndronin në 53 për qind të territorit të Gazës, por një vit më vonë, ato kontrollojnë rreth 70 për qind të tij, sipas të dhënave zyrtare.
Zotimi i bërë të enjten nga Eisenkot në kuadër të fushatës së tij, është një nga deklaratat më të forta të bëra deri më tani nga ish-shefi ushtarak 66-vjeçar.
Këto zgjedhje, ku gara pritet të jetë shumë e ngushtë, do të jenë të parat që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, i cili shkaktoi vdekjen e më shumë se 1.200 personave.
Si përgjigje ndaj këtij sulmi, Izraeli ndërmori një ofensivë të gjerë në Gaza, e cila ka lënë të vdekur më shumë se 74.300 njerëz, sipas ministrisë së shëndetësisë së këtij territori – institucion që funksionon nën kontrollin e Hamasit, por shifrat e të cilit konsiderohen përgjithësisht të besueshme nga Kombet e Bashkuara.
Të enjten, Eisenkot e akuzoi Netanyahun për një “dështim strategjik” në Gaza, duke theksuar se, pas tre vitesh lufte, “Hamasi mbetet ende forca dominuese… i armatosur, duke u armatosur më tej dhe aktiv ushtarakisht”.
Ai gjithashtu përsëriti zotimin për ngritjen e një komisioni hetimor shtetëror, me qëllim identifikimin e përgjegjësve për dështimet e sigurisë që çuan në ngjarjet e 7 tetorit – një nismë të cilës qeveria i është kundërvënë deri më tani.
“Ekziston një mënyrë për të parandaluar katastrofën e radhës”, tha ai.
Sondazhet aktuale tregojnë se as blloku i Netanyahu-t dhe as ai i udhëhequr nga Eisenkot nuk janë në gjendje të sigurojnë 61 vendet e nevojshme për të kontrolluar parlamentin prej 120 mandatesh dhe për të formuar një koalicion qeverisës. /Telegrafi/

