Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka tërhequr edhe një herë vëmendjen e ndjekësve të saj në rrjetet sociale, teksa ka publikuar një seri fotografish atraktive nga pushimet luksoze që po kalon në ishullin grek të Mykonosit.
Artistja 35-vjeçare u shfaq në super formë, duke ekspozuar linjat e saj të tonifikuara trupore në disa paraqitje verore me bikini, ndërsa shijonte diellin dhe detin në një prej destinacioneve më të njohura turistike të Mesdheut.
Përveç fotografive, Rita ndau me fansat edhe një mesazh të shkurtër, ku la të kuptohet se këto ditë pushimi i kanë shërbyer për t’u rigjeneruar pas angazhimeve të shumta profesionale.
“Kisha nevojë për një rifreskim shpirtëror – diell, bikini dhe muzikë…”, shkroi interpretuesja e hitit “Let You Love Me” në mbishkrimin e fotografive të publikuara në Instagram.
Postimi i saj u prit me mijëra pëlqime dhe komente nga ndjekësit, të cilët vlerësuan jo vetëm paraqitjen e artistes, por edhe energjinë pozitive që ajo përcolli përmes imazheve.
Ndërkohë, Rita Ora po vazhdon punën për projektet e reja muzikore. Artistja është në fazën përfundimtare të përgatitjes së albumit të saj të katërt në studio, ende pa një titull zyrtar, i cili pritet të publikohet së shpejti dhe të sjellë këngë të reja për fansat e saj në mbarë botën. /Telegrafi/
