Rey Manaj po përgatit një kapitull të ri në karrierën e tij, pasi vendosi të ndërpresë kontratën me Sivassporin për shkak të premtimeve të pambajtura nga klubi turk lidhur me shlyerjen e pagave.
Sulmuesi shqiptar nuk ka humbur kohë dhe ka bërë tashmë lëvizjen e radhës, duke iu bashkuar agjencisë së njohur të menaxhimit “LIAN Sports Group”, e themeluar dhe drejtuar nga agjenti i njohur Fali Ramadani, shkruan Indeksonline
Ky zhvillim mund të jetë një sinjal i rëndësishëm për të ardhmen e 29-vjeçarit, pasi agjencia në fjalë ka një fokus të veçantë në tregjet e futbollit italian dhe spanjoll, përkatësisht në Serie A dhe La Liga.
Kësisoj, nuk përjashtohet mundësia që Manaj të rikthehet në një prej kampionateve më të forta evropiane. Në Spanjë, ai ka luajtur më parë për disa skuadra, por ende nuk ka pasur mundësinë të debutojë në La Liga. Ndërkohë, në Itali ka mbrojtur ngjyrat e Interit, Spezias dhe Pescaras.
Forma e tij aktuale është një tjetër argument në favor të një transferimi të rëndësishëm. Gjatë këtij sezoni me Sivassporin, Manaj realizoi 10 gola dhe dhuroi dy asistime në 13 paraqitje në Ligën e Parë turke.
Edhe me Kombëtaren shqiptare, sulmuesi ka qenë në formë mbresëlënëse, duke regjistruar katër gola dhe dy asistime në pesë paraqitjet e fundit.
Me këto statistika dhe me një agjenci të njohur pas tij, Rey Manaj synon të gjejë një skuadër të re që do t’i mundësojë rikthimin në nivelet më të larta të futbollit evropian./Indeksonline/

