Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme që kanë zgjedhjet e nesërme në Serbi për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe domosdoshmërinë e unitetit politik.
Rexhepi në Info Magazine në Klan Kosova u shpreh se padrejtësitë e vazhdueshme të Beogradit ndaj shqiptarëve, duke përfshirë pasivizimin e adresave dhe mosnjohjen e diplomave e bëjnë këtë proces zgjedhor jetik për përfaqësimin e tyre.
Ai nënvizoi se është koha vendimtare që të gjithë faktorët shqiptarë të bashkohen dhe të përfaqësohen të palëkundur përballë presionit shtetëror.
Këto zgjedhje kanë një rëndësi të veçantë sepse ne duhet të ngrisim zërin. Është momenti që shqiptarët të kenë një zë të fuqishëm dhe të flasim me një zë të gjithë për padrejtësitë që po ndodhin në Luginë të Preshevës," tha Rexhepi.
Më tej, ai theksoi se shqiptarët mbeten komuniteti më i diskriminuar dhe se uniteti i dëshmuar me institucionet e Kosovës duhet të reflektohet fuqishëm në kutitë e votimit:
Ne duhet të jemi kompakt. U bashkuam në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe duhet që këtë zë dhe këtë bashkim ta paraqesim edhe para Vuçiqit, apo para padrejtësive që po ndodhin në Luginën e Preshevës," shtoi ai.
Ai poashtu theksoi se mobilizimi në terren është i lartë dhe se votuesit tashmë janë nisur për të ushtruar të drejtën e tyre të votës. /Klankosova.tv

