Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, i ka bërë thirrje Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që të marrë masa urgjente për zgjidhjen e situatës me deponinë në Mirash.
Retkoceri ka kërkuar që sonte, në mesnatë, të hapen dyert e deponisë në Mirash, në mënyrë që të mundësohet largimi i mbeturinave nga kryeqyteti, transmeton Klankosova.tv.
Ai ka theksuar se qytetarët e Prishtinës nuk duhet të përballen me pasojat e përplasjeve politike, duke kërkuar që ministria ta njoftojë me kohë Komunën dhe qytetarët për masat që do të ndërmerren.
“Qytetarët e Prishtinës nuk duhet ta paguajnë çmimin e përplasjeve politike. Sonte në orën 12:00, kërkojmë që dyert e deponisë në Mirash të hapen për t’u larguar mbeturinat në kryeqytet”, ka deklaruar Retkoceri.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se, nëse kërkesa nuk merret parasysh, Komuna mund të ndërmarrë veprime të tjera.
“Në të kundërtën, veprimet tona nuk do të jenë më të njëjta”, ka paralajmëruar Retkoceri.

