Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 1.8 milion euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Luginën e Preshevës, në mbështetje të projekteve dhe programeve që synojnë përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Vendimi për ndarjen e mjeteve është marrë në mbledhjen e shtatë të Qeverisë së Kosovës, në bazë të kërkesës së Këshillit Kombëtar Shqiptar, të datës 6 tetor 2026.
Lidhur me këtë vendim kanë reaguar kryetari i KKSH-së, Enkel Rexhepi, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, si dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, të cilët kanë falënderuar Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme për shqiptarët e Luginës.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka thënë se mbështetja financiare për këtë institucion është rikthyer për herë të tretë për shqyrtim, pas bllokimeve nga Serbia në janar dhe gusht.
Ai ka theksuar se KKSH-ja do të vazhdojë të angazhohet që mjetet të arrijnë te përfituesit, duke bërë të ditur se ato lidhen me 129 projekte dhe katër programe.
Sipas Rexhepit, programet përfshijnë sigurimin e librave falas, praktikën profesionale për të rinjtë, funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe avokimin për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Ai ka vlerësuar se bllokimi i mbështetjes ndikon drejtpërdrejt te nxënësit, të rinjtë, organizatat dhe jeta institucionale e komunitetit shqiptar.
Rexhepi ka falënderuar kryeministrin Albin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për përkushtimin dhe këmbënguljen, duke theksuar se Këshilli do ta ndjekë procesin deri në realizimin e mbështetjes.
Edhe kryetari i PVD-së dhe njëherësh deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar lidhur me ndarjen e mjeteve, duke e cilësuar rikthimin e çështjes për herë të tretë si dëshmi të këmbënguljes për të siguruar mbështetje për shqiptarët e Luginës.
Kamberi ka kritikuar qëndrimin e autoriteteve serbe, duke thënë se Serbia ndan mjete për serbët e Kosovës, ndërsa, sipas tij, bllokon mbështetjen financiare të Kosovës për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Ai i është referuar edhe deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Kuvendin e Serbisë, më 13 shtator 2022, sipas të cilave për Kosovën ndahen çdo vit 700 deri në 820 milionë euro.
Kamberi ka theksuar se mbështetja e paraparë për 129 projektet dhe katër programet e KKSH-së ka qëllime dhe përfitues të përcaktuar.
“Mbështetja për qytetarët nuk mund të jetë e drejtë për njërën palë dhe të trajtohet si kërcënim kur u dedikohet shqiptarëve”, ka shkruar Kamberi, duke kërkuar standarde dhe trajtim të barabartë.
Ai gjithashtu ka falënderuar kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për angazhimin e vazhdueshëm, duke thënë se do të këmbëngulin derisa mbështetja të arrijë te përfituesit.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka vlerësuar se mbështetja financiare për vitin 2026 lidhet drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve të Luginës së Preshevës.
Sipas saj, këto mjete janë të rëndësishme për sigurimin e librave për fëmijët, krijimin e mundësive për të rinjtë dhe realizimin e projekteve në dobi të shqiptarëve.
Sinani ka theksuar se bllokimi i mjeteve ua mohon këto mundësi qytetarëve që kanë më së shumti nevojë për mbështetje. Kryetarja e Preshevës ka bërë të ditur se do të vazhdojnë angazhimin, së bashku me Këshillin Kombëtar Shqiptar, që mbështetja të arrijë te shqiptarët e Luginës.
“Qytetarët tanë nuk duhet të mbeten peng i bllokimeve”, ka theksuar Sinani, duke falënderuar Qeverinë e Kosovës.
Ajo e ka përmbyllur reagimin me mesazhin se Presheva dhe Lugina nuk janë vetëm.
Ndarja e mjeteve nga Qeveria e Kosovës synon të mbështesë funksionimin institucional të KKSH-së dhe realizimin e projekteve të dedikuara për komunitetin shqiptar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

