Reshje të dendura shiu të shoqëruara me bubullima kanë përfshirë kryeqytetin turk, Ankara, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe grumbullime uji në disa zona të qytetit.
Reshjet nisën gjatë orëve të natës me ndërprerje, por intensiteti i tyre u rrit ndjeshëm në mëngjes.
Si pasojë e sasisë së madhe të ujit, në disa rrugë dhe bulevarde u krijuan pellgje, duke penguar lëvizjen normale të automjeteve.
Një veturë është përmbysur në një nga zonat e prekura, duke nxitur ndërhyrjen e qytetarëve për ta shpëtuar vozitësen e veturës.
Disa drejtues mjetesh raportuan vështirësi në qarkullim për shkak të rrugëve të përmbytura përkohësisht, ndërsa autoritetet u angazhuan për monitorimin e situatës.
Meteorologët kanë paralajmëruar se reshjet e shoqëruara me bubullima mund të vazhdojnë edhe në periudhat e ardhshme, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, veçanërisht në zonat ku ekziston rreziku i përmbytjeve të shpejta. /Telegrafi/
